Pjesëmarrja në zgjedhje në dy orët e para mbi 2%
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime deri në orën 09:00 ka qenë 2.61%.
Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
Trendi i pjesëmarrjes zakonisht rritet në orët e pasdites.
Raporti i DnV-së: Shumica e vendvotimeve u hapën pa probleme
Koalicioni Demokracia në Veprim (DnV), që po monitoron zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, bëri të ditur se vetëm 3% e vendvotimeve janë hapur me vonesë, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve, ndërsa në dy vendvotime shkak ishte edhe ndërprerja e energjisë elektrike.
Një numër i vogël vendvotimesh pati probleme me kamerat dhe vendosjen e kabinave, ndërsa 16% e qendrave nuk kanë infrastrukturë adekuate për personat me aftësi të kufizuara, sipas raportit të DnV-së.
Vëzhguesit raportuan, gjithashtu, prani të materialeve propagandistike brenda 100 metrave të qendrave në 3% të rasteve dhe mungesë të tavolinave ndihmëse në 18% të qendrave, kryesisht në Ferizaj, Gjilan dhe Pejë.
DnV po monitoron procesin me 500 vëzhgues statikë në të gjitha vendvotimet.
Kandidati i AAK-së për kryeministër voton në Gllogjan
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, votoi rreth orës 09:00 në Gllogjan.
Pas hedhjes së votës, ai u prononcua shkurtimisht para mediave, duke u bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.
Haradinaj është kandidat i AAK-së për kryeministër të Kosovës.
Prokuroria e Shtetit siguron mbrojtjen e votës në zgjedhjet e sotme
Rreth 100 prokurorë dhe staf mbështetës janë angazhuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Prokuroria njoftoi përmes një komunikate për media se i ka bërë të gjitha përgatitjet për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve dhe për të proceduar çdo parregullsi që mund të ndodhë gjatë votimit.
Prokurorët janë vendosur në zyrat e tyre në qytetet ku funksionojnë prokuroritë, ndërsa në vendet ku nuk ka objekt prokurorie, ata qëndrojnë në stacione policore në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, po mbikëqyr gjithë zbatimin e detyrave të koordinatorëve rajonalë dhe prokurorëve të angazhuar në proces.