Pjesëmarrje më e madhe në votime krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ-ja, dalja në zgjedhjet e 28 dhjetorit deri në orën 15:00 është më e madhe sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Bazuar në 98.87 për qind të vendvotimeve të procesuara, në zgjedhjet e së dielës kanë votuar 584.276 votues, apo 29.23 për qind.
KQZ-ja tha më herët se deri në orën 15:00, bazuar në të dhënat nga 91 vendvotime në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit kishin votuar 28.32 për qind të e votuesve apo 558.246 votues.
Nga këto të dhëna, del se në votimet e sotme deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 26 mijë votues më shumë sesa në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kryetarja e Ranillugut intervistohet nga Policia nën dyshimet për ndikim ndaj votuesve
Kryetarja e komunës së Ranillugut, Tanja Antiq, është intervistuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimet se ka ushtruar ndikim te votuesit, tha zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Valon Osmani.
Policia tha se ka pranuar informacione se ajo përmes “anëtarëve të Komisionit Komunal Zgjedhor” të Listës Serbe në Ranillug, “ka ushtruar ndikim te votuesit e papërcaktuar ose votuesit e subjekteve të tjera”.
“Të njëjtit dyshohet se janë kanosur për ndërprerje të benifiteve të cilat këta qytetar i përfitojnë nga shteti i Serbisë, në rast të mos votimit sipas udhëzimeve”, tha Osmani për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, pas intervistimit Antiq u lirua me vendim të prokurorit të shtetit dhe autoritetet do të vazhdojnë të hetojnë rastin për veprën penale “cenim i fshehtësisë së votimit”.
Nga Prokuroria e Shtetit kanë njoftuar për REL-in se kanë informacione se disa persona janë intervistuar nën dyshimet për vepra penale që lidhen me zgjedhje, por kanë shtuar se deri më tani nuk ka të ndaluar.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nga e cila vjen Antiq, gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Prokuroria e Shtetit thotë se s’ka të ndaluar për vepra penale që ndërlidhen me zgjedhjet
Prokuroria e Shtetit bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se deri më tani nuk është ndaluar asnjë person për veprat penale që ndërlidhen me zgjedhjet.
“Kemi disa informata, me disa persona që janë intervistuar, të cilat janë duke u trajtuar për të parë nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo, që ndërlidhen me procesin zgjedhor”, tha Liridonë Kozmaqi-Hajdaraj, udhëheqëse e zyrës për komunikim në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Për zgjedhjet e sotme, janë angazhuar afër 100 prokurorë.
Në Graçanicë votojnë edhe serbët e zhvendosur nga Kosova
Në disa qendra votimi në komunën e Graçanicës, të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar edhe serbët e zhvendosur nga Kosova, sipas gazetares së Radios Evropa e Lirë që po raporton nga terreni.
Ndërkohë, Komisariati për Refugjatë dhe Migracion i Serbisë i ka ftuar personat e zhvendosur nga Kosova që të votojnë për zgjedhjet e së dielës, duke theksuar se çdo votë është e rëndësishme “për mbijetesën e popullit serb”.
Po ashtu, shteti i Serbisë, i cili e mbështet partinë Lista Serbe, ishte angazhuar që të organizonte votimin e personave të zhvendosur nga Kosova edhe në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, si dhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor.