Teksa në platformën e KQZ-së kanë nisur të publikohen rezultatet e para të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ne po ju risjellim disa të dhëna lidhur me votat e siguruara nga qeveritë e kaluara.
Prokurori i Shtetit: Asnjë i ndaluar për veprat penale që lidhen me zgjedhjet
Prokuroria e Shtetit tha se deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar për veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Megjithatë, sipas një njoftimi, afër 100 prokurorët e angazhuar në këto zgjedhje kanë verifikuar dhe trajtuar disa raste deri në mbylljen e vendvotimeve dhe vetëm pesë prej tyre “paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtave të votimit”.
Rasti i parë është iniciuar në fshatin Ranillug, për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, ku e dyshuara me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, tha Prokuroria e Shtetit.
Për këtë rast, Policia e Kosovës më herët tha se ka intervistuar kryetaren e Ranillugut, Tanja Antiq nga radhët e Listës Serbe, e cila dyshohet për ndikim te votuesit.
Prokurori i Shtetit tha se rasti i dytë është iniciuar në Zhegër, për veprat penale “Pengim i procesit të votimit” dhe “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, “ku i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”.
Rasti i tretë është iniciuar në Prizren, për veprën penale nga neni: 217 “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”.
Rasti i katërt ishte në Drenas dhe kishte të bënte për veprën penale “Cenimi i fshehtësisë së votimit”.
Ndërkaq, rasti i pestë është iniciuar në Suharekë, për veprën penale nga neni: “Cenimi i fshehtësisë së votimit”. Edhe në këtë rast, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Prokurorët, sipas njoftimit, do të vazhdojnë monitorimin e procesit të numërimit të votave në qendrat e votimit deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale të numërimit.
KQZ thotë se ka nisur numërimi i votave
Në shumicën e vendvotimeve ka nisur numërimi i votave, tha kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në konferencën për media pas përfundimit të procesit të votimit.
Radoniqi tha se deri më tani nuk janë evidentuar incidente që do të cenonin integritetin e zgjedhjeve.
Dalja, sipas KQZ-së, është 45 për qind. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara, të mbajtura në shkurt bazuar në 91 për qind të vendvotimeve të procesuara, kishin votuar 40 për qind e trupit zgjedhor.
Në orët e pasdites, Radoniqi tha se ka pasur ndërprerje të shkurtra të rrymës deri në 10 minuta në tri qendra votimi në Rahovec, Dragash dhe Han të Elezit, por KEDS-i e ka rregulluar menjëherë problemin.