Ndërlidhjet

Zaev kritikohet për marrjen e drejtimit të Ministrisë së Financave


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ekspertët e ekonomisë thonë se drejtimi i Ministrisë së Financave nga ana e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, mund të përshpejtojë shpërndarjen e mjeteve financiare, e cila sipas tyre, do t’i jepte shtytje dinamikës së realizimit të projekteve kapitale, të cilat janë vendosur si prioritet nga Qeveria. Megjithatë, ekspertët shtojnë se drejtimi i Ministrisë së Financave nga Zaevi është “thikë me dy tehe”, sepse kjo, sipas tyre, ndikon edhe në disiplinën rreth menaxhimit të parave nga arka e shtetit.

Realizimi i ulët i investime kapitale nga buxheti, ishte një ndër arsyet kryesore që e shtyn kryeministrin Zaev të marrë udhëheqjen e Ministrisë së Financave.

Mirollub Shukarov, profesor në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Shkupit, thotë se në këtë mënyrë tejkalohen disa barriera administrative që kanë frenuar realizimin e investimeve kapitale.

“Marrja e detyrës si ministër i Financave nga ana e kryetarit të Qeverisë, nuk duhet të ketë impakt në funksionalitetin e këtij dikasteri. Shumë çështje nuk mund të zgjidhen vetëm brenda dikasterit sepse për ndryshime të mëdha duhet të ketë dhe ndryshime në politikat e përgjithshme të Qeverisë. Pra, nuk pres ndonjë ndryshim drastik, as një aspektin pozitiv dhe as atë negative”, thotë Shukarov.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve ekonomike, Visar Ademi thotë për Radion Evropa e Lirë se marrja e drejtimit të Ministrisë së Financave nga kryeministri Zaev, do të thotë vendosje e kontrollit absolut në buxhetin e shtetit nga ana e tij.

“Si synon të ketë vendime të pakushtëzuar se si shpenzohen paratë publike dhe e dyta të ketë shpejtësi në ndarjen e financave publike përmes ndarjes së tenderëve të caktuar, të cilët do të ishin të proceduara nga Qeveria”, thotë Ademi.

Ademi thotë se drejtimi i Ministrisë së Financave nga kryeministri maqedonas, prish edhe bilancin e kontrollit për shpenzimin e mjeteve publike.

“Nuk ka një person tjetër që është në krye të financave dhe një person tjetër që menaxhon pjesën operative të Qeverisë. Tani, zoti Zaev kryeministër dhe zoti Zaev ministër i Financave është një dhe kjo tregon se ka indikacione se Zaev kërkon të ketë kontroll edhe mbi politikën, por edhe mbi financat në Maqedoninë e Veriut, që është indikativë se mund të ketë këtu korrupsion nga ana e Qeverisë”.

“Kësi lloj kontrolli nuk ka pasur as ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili ka drejtuar Qeverinë më shumë se dhjetë vjet dhe habitem se pse i duhet Zaevit ky lloj kontrolli në arkën e shtetit përmes drejtimit të Ministrisë së Financave”, thotë Ademi.

Maqedonia e Veriut gjatë vitit të ardhshëm futet në zgjedhje dhe ky vit është vendimtar për rimëkëmbjen e ekonomisë, premtim të cilin, Zaev e kishte dhënë gjatë fushatës zgjedhore. Por, ekonomistët nuk besojnë se mund të ketë ndonjë përmirësim të dukshëm në ekonominë e vendit.

“Politika nuk ka ndryshuar. Nuk janë ndryshuar as rregullat, normat, prandaj besoj se nuk do të ndryshojë asgjë”, thotë profesori Shukarov.

Ndërkohë, Komisioni shtetëror Kundër Korrupsionit ka theksuar se kryeministri Zaev duhet të emërojë një ministër të ri të Financave sa më shpejt që të jetë e mundur.

Lidhur me marrjen e drejtimit të dikasterit të financave nga Zaev kanë reaguar edhe organizatat joqeveritare, në mesin e tyre edhe fondacioni “Shoqëri e Hapur”, Transparency International, Euro Thing, e shumë organizata të tjera. OJQ-të kanë theksuar se koncentrimi i pushtetit në një individ nuk është i shëndetshëm për demokracinë, duke nënvizuar se kontrolli dhe përgjegjësia duhet të shpërndahen në shumë faktorë, me qëllim që të mund të monitorojnë punën e njëri-tjetrit.

Por, Zaev ka theksuar se me marrjen e drejtimit të Ministrisë së Financave ka për qëllim që të ndërmarrë veprime të guximshme, nga të cilat, që sipas tij, do të përfitojnë të gjithë qytetarët.

XS
SM
MD
LG