Ndërlidhjet

Zyrtari i BE -së thotë se Irani është gati të rifillojë bisedimet


Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) Enrique Mora dhe zyrtari iranian Abbas Araghchi në bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit 2015 në Vjenë, 20 qershor 2021.

Irani është i gatshëm të kthehet në tryezën e bisedimeve për programin bërthamor në fillim të shtatorit, ka thënë një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian në kushte anonimiteti. Agjencitë e lajmeve AFP dhe DPA raportuan më 7 gusht se Irani ka dhënë garanci se bisedimet do të rifillojnë në Vjenë.

Zyrtari evropian tha se negociatori i BE-së për këtë çështje, Enrique Mora, mori pjesë në betimin e presidentit të ri iranian, Ebrahim Raisi, në Teheran javën e kaluar, dhe atje ka biseduar me zyrtarin iranian të caktuar për të udhëhequr bisedimet, Hossein Amir-Abdollahian. Zyrtari i BE-së tha se Amir-Abdollahian është planifikuar të jetë ministri i ri i Jashtëm në kabinetin e Raisit.

“Iranianët thanë se duan të kthehen në tryezën e bisedimeve, jo vetëm për bisedime, por për të arritur një marrëveshje. Ata duan një sukses", tha zyrtari i BE-së.

Më 5 gusht, Shtetet e Bashkuara i kërkuan Iranit të kthehej në bisedimet e Vjenës të cilat synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila kishte kufizuar programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.

"Ne i bëjmë thirrje Iranit që sa më shpejt të kthehet në negociata", pati thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Presidenti i ri i Iranit, Raisi bëri thirrje për heqjen e sanksioneve gjatë fjalimit të tij të inaugurimit më 5 gusht.

Marrëveshja bërthamore ishte nënshkruar nga ish-presidenti, Hassan Rohani, një udhëheqës relativisht i moderuar iranian, i cili u largua nga pozita pasi shërbeu për dy mandate.

Marrëveshja më 2015 u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Gjermania, Rusia dhe Kina.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosi sanksionet të ashpra ndaj Iranit.

Trump në atë kohë tha se Irani nuk po i përmbahej frymës së marrëveshjes, duke e akuzuar atë për përpjekje për të ndërtuar armë bërthamore dhe për mbështetje të aktivitetit ekstremist në rajon.

Irani i mohon akuzat.

Pasi Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja, Teherani filloi të mos e zbatojë më atë.

"BE-ja do të donte që Irani të ngrinte aktivitetet bërthamore", tha zyrtari i BE-së, por ai pranoi se Moska dhe Pekini nuk e mbështesin qëndrimin e tij në këtë drejtim.

Bisedimet në Vjenë, me pjesëmarrje indirekte të SHBA-së, po zhvillohen që nga muaji prill dhe raundi i fundit i tyre u mbajt më 20 qershor.

Por, gjërat u komplikuan pas rritjes së tensioneve mes Iranit dhe Perëndimit, në veçanti pas sulmit më dron ndaj një cisterne në pronësi të Izraelit në Gjirin e Omanit gjatë javës së kaluar.

G7 (Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara - Shtetet e Bashkuara, Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia dhe Japonia) fajësuan Iranin për sulmin. Teherani e mohon akuzën.

XS
SM
MD
LG