KAJRO/LONDËR

Ministria e Brendshme egjiptiane bëri të ditur se Policia e ka arrestuar Magdi el-Nasharin, i dyshuari kryesor për ndërtimin e bombave me të cilat u kryen sulmet terroriste në Londër.
Ai ka studiuar për kimi në Shtetet e Bashkuara dhe në Universitetin e Leeds-it në Britani.
Bëhet e ditur se në Kajro është marrë në pyetje nga policia, në praninë e agjentëve britanikë.
Ndërkaq në Londër, komisioneri i Policisë, Ian Blair, i bëri thirrje komunitetit musliman në Britani që të angazhohen në luftën kundër terrorizmit.
"Në Londër kemi gati 1 milionë muslimanë, ndërsa në tërë Britaninë, 1 milionë e 600 mijë. Kurse në Policinë e Londrës kam vetëm 300 policë muslimanë dhe mendoj se nuk është e mjaftueshme. Kam nevojë për prindërit tuaj, vëllezërit dhe motrat tuaja, kam nevojë për fëmijët tuaj", tha Ian Blair, gjatë takimit në një xhami të Londrës.