PRISHTINË

Grupi negociator i Kosovës për statusin ka miratuar sot formimin e grupit politik të delegacionit, i cili do të duhet të hartojë platformën politike për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi në një intervistë për Radion "Evropa e Lirë" tha se "në takimin e sotëm pjesëmarrësit janë pajtuar që në grupin politik do të jenë njerëzit e fuqishëm të partive politike, të cilët janë të aftë për t'i propozuar delegacionit të Kosovës vijat themelore politike dhe të aftë për të ruajtur parimet e programeve politike që do të rezultojnë në dokumentet për statusin final të Kosovës".
Kosumi gjithashtu tha se ky grup ka për detyrë t'i jap delegacionit të Kosovës edhe propozimet për nëngrupet për çështje të tjera. "Jemi marrë që në këto grupe të jenë të përfaqësuar edhe përfaqësuesit e komuniteteve tjera etnike. Ky është hapi i parë i rëndësishëm" tha kryeministri i Kosovës.
Grupi, tha ai, shumë shpejtë do t'i propozojë delegacionit të Kosovës platformën për bisedime që pastaj do të miratohet në Kuvendin e Kosovës.
"Tani do të punohet me të gjitha energjitë për përgatitjen e delegacionit të Kosovës për biseda" tha Kosumi duke shtuar se ekziston një konsensus i fuqishëm në mes të të gjithë faktorëve politikë në lidhje me bërjen e shtetit të Kosovës.
"Mospajtimet kanë qenë kryesisht për çështje teknike" tha Kosumi duke u shprehur i bindur se sot janë tejkaluar të gjitha këto.
Më gjerësisht tek rubrika INTERVISTA).