Shkolla me dy emra

Shkolla në Rubovc

Në fshatin Rubovc, rreth pesë kilometra nga qyteti i Lipjanit, në një shkollë, nën një kulm, me një mur të ndarë, mësojnë nxënësit shqiptarë dhe ata të komunitetit serb. Njëra pjesë e shkollës quhet “Drita”, ndërsa tjetra “Braqa Aksiq”.






“Të jetojmë së bashku”, “Kosova, shtet multi-etnik” dhe slogane të tjera të udhëheqësve politikë, por edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, ka vite që janë të njohura për opinionin vendor.

Por, krijimi i mundësive për një bashkëjetesë ndëretnike vazhdon të mbetet sfidë përballë një realiteti tjetër, të paktën në sytë e nxënësve të një shkolle fillore në Rubovc, të komunës së Lipjanit.

Muret e holla që ndajnë klasat shqiptare nga ato serbe në këtë shkollë, shndërrohen në mure të trasha komunikimi dhe pikëpamjesh, kur bëhet fjalë për historinë që mësojnë të dyja palët.

Fikrije Budakova është nxënëse e klasës së nëntë në Shkollën Fillore “Drita”, në Rubovc.

Në librin e historisë, ajo ka mësuar për këta persona, që nga shqiptarët konsiderohen heronj:

“Pas Skënderbeut kemi heronj të shumtë, siç është: Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Ismail Qemajli... Ndërsa, në Kosovë është komandanti legjendar, Adem Jashari”.

Por, histori dhe heronj krejtësisht të ndryshëm mësojnë bashkëmoshatarët e saj serbë, të cilët punojnë me plan-program të Qeverisë së Serbisë. Në librat e tyre të historisë, Kosova ende trajtohet si pjesë e Serbisë.

Millosh Mjomiq, nxënës i klasës së nëntë në po këtë shkollë, por që mban emrin “Braqa Aksiq”, numëron disa nga figurat që serbët i njohin si heronj:

“Kraleviq Marko, Braqa Aksiq, Sava Kovaçeviq, Millosh Obiliq, Knez Llazar...”.

Milloshi nuk ka dëgjuar ndonjëherë për heronjtë shqiptarë, por as Shqipe Budakova për ata serbë. Shqipja, megjithatë, shprehet e gatshme për të mësuar me nxënësit serbë, nëse nuk do të ekzistonte muri ndarës. Ky mur është ngritur si improvizim për t’i ndarë nxënësit në baza etnike.

“Mua nuk më pengojnë. Komuniteti serb është pjesë e Kosovës, ndërsa fëmijët serbë janë pjesë e shkollës ku mësoj unë. Është gjë normale që ne do të kishim mundur të mësojmë së bashku me fëmijët serbë, në të njëjtën shkollë”, thotë Shqipja.

Një histori më të gjerë për ndarjen e kësaj shkolle në dy pjesë, tregon drejtori i Shkollës Fillore ”Drita”, Beqir Murati. Ai thotë se objekti i shkollës është ndërtuar në vitin 1948.

Në pjesën ku mësojnë nxënësit shqiptarë, objekti është tejet i vjetruar dhe kushtet janë shumë të vështira. Por, pavarësisht kësaj, në këtë godinë, në katër klasë, mësimet i vijojnë 210 nxënës shqiptarë, thotë Murati.

“Shkolla e përbashkët ka qenë deri në vitin 1990; në gusht të po këtij viti, banorët e fshatit e kanë ndarë në mes. Prej asaj kohe, shkolla jonë i ka pasur kushtet shumë të vështira”, rrëfen Murati.

Zoran Spasiq, mësimdhënës në shkollën që për të mban emrin “Braqa Aksiq”, pohon se kjo shkollë punon me plan-program të Qeverisë së Serbisë dhe se mësimdhënësit paguhen po nga kjo qeveri.

Spasiq konsideron se nxënësit serbë nuk janë të gatshëm të mësojnë në një shkollë të përbashkët me bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë.

“Programet janë të ndryshme, gjuha është ndryshe dhe për të mos ardhur deri te ndonjë pasojë e padëshiruar - sepse janë nxënës kryesisht të klasës së shtatë dhe tetë, është një moshë e adoleshencës - pa mur me siguri që nuk do të mund të funksiononte, e me siguri që as prindërit nuk do të pajtoheshin që shkolla të jetë pa dy hyrje”, thotë ai.

Por, profesori i gjuhës shqipe, Njazi Aliu, ndonëse thotë se nuk ka ndonjë bashkëpunim të mirë me komunitetin serb, shpreh bindjen se mësimi do të mund të funksiononte pa mur ndarës.

“Nuk kemi asnjë komunikim me ta. Është e vërtetë se nuk kemi ndonjë problem që vlen të përmendet, por marrëdhënie të mira nuk kemi me ta. As përshëndetje nuk kemi. Nxënësit, edhe pse janë nën një kulm, nuk bashkëpunojnë, nuk luajnë bashkë, kanë disa fyerje të vogla në mes vete, por jo ndonjë problem të madh”, thotë Aliu.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë pohojnë se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për integrimin e nxënësve të komunitetit serb në sistemin e arsimit kosovar.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, thotë se institucionet kosovare nuk duan që në Republikën e Kosovës të ketë më mure ndarëse për nxënësit shqiptarë dhe ata serbë.

Vitin e kaluar, thotë ministri Hoxhaj, është themeluar komisioni, i cili merret me harmonizimin e plan-programit për shkollat në gjuhën serbe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Hoxhaj shfaq shpresën se, gjatë këtij viti, do të mund të vërehen rezultatet e para në këtë drejtim.

“Ne nuk jemi të interesuar që nxënësit e Republikës së Kosovës të jenë të ndarë me mure, apo me objekte të ndryshme shkollore”.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës parasheh harmonizimin e plan-programeve për shkollat në gjuhën serbe me vlerat dhe parimet kryesore të saj. Për mua, si ministër i Arsimit, është gjë më se e domosdoshme që të filloj ta zbatoj Kushtetutën në sistemin tonë arsimor”
, thekson Hoxhaj.

Por, Lilica Rashiq, zëvendësdrejtoreshë e Shkollës Fillore “Braqa Aksiq”, thotë se serbët nuk janë ende të gatshëm që ta pranojnë plan-programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Ne ende udhëhiqemi nga Republika e Serbisë dhe duam që fëmijët tanë edhe më tej të mësojnë nga plan-programi i Republikës së Serbisë”, thotë ajo.

Dhe, derisa e gjithë kjo çështje të sqarohet, nxënësit shqiptarë dhe ata serbë mbesin të ndarë. Kur në fund të mësimit bie zilja, nga objekti ku mësojnë, nxënësit dalin nga hyrjet e ndara, e madje edhe lojën në oborrin e shkollës e kanë të ndarë.