Çështja e fondit të privatizimit apo e mjeteve të përfituara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, vazhdon të mbetet temë debatesh ndërmjet Bankës Qendrore dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Përfaqësues të kësaj të fundit thonë se mjetet gjenden jashtë Kosovës dhe se nuk mund t’i shfrytëzojnë ato, por ata të Bankës Qendrore thonë se, varësisht prej kërkesave, AKP-ja mund t’i ketë në disponim këto mjete.
Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, tashmë disa herë, kanë kërkuar nga Banka Qendrore që fondi i privatizimit të kthehet në Kosovë.
Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, thotë se AKP-ja po ashtu kërkon të dijë se kush ka vendosur për investimet e fondeve të mirëbesimit jashtë Kosovës, por edhe informacione të tjera lidhur me investimet e fondeve të mirëbesimit.
Sipas tij, AKP-ja kërkon që të respektohet Ligji mbi këtë agjenci dhe në këtë kuadër të angazhohen edhe institucionet e tjera shtetërore.
“Në nenin 19.2 të Ligjit mbi AKP-në thuhet: ‘Të gjitha të hyrat e mbledhura nga Agjencia, si rezultat i aktiviteteve të saj dhe të cilat mbahen në mirëbesim për t’iu shpërndarë kreditorëve dhe pronarëve, do të investohen nga Agjencia në llogari, instrumente ose mënyra të tjera të investimit, të cilat janë ranguar për investim nga agjenci ndërkombëtare të rangimit dhe në përputhje me kriteret e arsyeshme dhe të matura të investimit’”, thotë Kaloshi.
Në anën tjetër, Gani Gërguri, zëvendësguvernator në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, thotë se mjetet janë investuar sipas Ligjit për BQK-në, si dhe në bazë të politikës së investimeve të aprovuar nga bordi drejtues i saj.
Ai pohon se ky fond është investuar në institucionet financiare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Prej krejt portofolit të investimeve të BQK-së, që është pak më i lartë se 1 miliard euro, rreth 40 për qind janë të investuara në letra me vlerë të qeverive të shteteve të Bashkimit Evropian, më saktësisht të Gjermanisë, Francës dhe Belgjikës”.
“Pastaj, ne depozitojmë edhe në bankat qendrore të po këtyre shteteve. Disa prej mjeteve i mbajmë në formë të depozitave në bankat me klasifikim më të lartë ndërkombëtar“, thotë Gërguri.
Sipas zyrtarëve të AKP-së, ndonëse mjetet e privatizimit janë në llogari rrjedhëse dhe nuk janë të afatizuara, është shqetësues fakti pse ato nuk mund të tërhiqen. Ylli Kaloshi thotë se drejtues të kësaj agjencie i kanë dërguar disa herë shkresa me shkrim Bankës Qendrore për kthimin e mjeteve në Kosovë, porse ende nuk kanë marrë përgjigje.
“Në lidhje me të ashtuquajturin ‘riatdhesim’ të fondeve të mbajtura në mirëbesim nga AKP-ja, Bordi i Drejtorëve të AKP-së, më 22 janar 2009, ka marrë vendim me shumicë të votave që: Fondet e Mirëbesimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit nuk do të investohen në institucione financiare ndërkombëtare dhe nuk do të depozitohen në bankat korresponduese të Bankës Qendrore të Kosovës dhe që të gjitha fondet e mirëbesimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit do të kthehen menjëherë në Kosovë”, sqaron Kaloshi.
Edhe ekspertë për çështje ekonomike thonë se Banka Qendrore e Kosovës duhet të veprojë sipas kërkesës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Eksperti Milazim Abazi thotë:
“Ato para, AKP-ja nuk i ka të afatizuara, i ka në llogari rrjedhëse, prandaj për dy-tri ditë duhet të kthehen brenda në Kosovë. Banka Qendrore, është e panatyrshme që të merret me rolin depozitues, kur atë rol nuk e ka. Ajo mund të menaxhojë buxhetin e Kosovës, por jo edhe fondin e privatizimit”.
Por, drejtues të Bankës Qendrore thonë se AKP-ja ka të drejtë tërheqjen e mjeteve. Gani Gërguri thotë se vendimet për depozitim ose tërheqje të mjeteve nga BQK-ja varen nga vetë depozituesi, përkatësisht klienti.
“Sa i përket kërkesës, ne jemi si bankë, faktikisht. Nëse ne marrim ndonjë kërkesë, me të cilën ne urdhërohemi që mjetet të barten nga një llogari në llogari tjetër, ose të tërhiqen në një sasi në para të gatshme, prapë po them se, si çdo bankë tjetër, ne jemi të obliguar që kërkesat e natyrës se tillë t’i përmbushim ndaj secilit klient, e në këtë rast natyrisht edhe ndaj AKP-së”, shprehet Gërguri.
Ndryshe, në Bankën Qendrore të Kosovës janë të depozituara 463 milionë euro të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, që janë grumbulluar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore.