Aleanca Kosova e Re ka proceduar në Kryesinë e Kuvendit mocionin me 40 nënshkrime me anë të cilave do të thërras në votëbesim Qeverinë aktuale.
Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli tha se tani procedurat parashohin që Kryesia e Kuvendit në afatin prej jo më herët se 2 dhe jo më vonë se 5 ditë të thërras seancën e Kuvendit ku do të votohet ky mocion.
Për miratimin e tij mjaftojnë 61 vota me anë të cilave qeveria do të konsiderohej në dorëheqje, kurse Kuvendi do të shpërndahej. Një situatë e tillë do të shtynte më pas ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi që në një afat jo më shpejt se 30 dhe jo më larg se 45 ditë t’i caktoj zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë.
Një gjendje e tillë e krijuar pasoi krizën institucionale në Kosovë, e nisur me dorëheqjen e presidentit Fatmir Sejdiu pasi vendimit të Gjykatës Kushtetuese se presidenti kishte shkelë seriozisht Kushtetutën me mbajtjen e postit të kryetarit të LDK-së çka ishte pasuar edhe me largimin e ministrave të LDK-së nga qeveria e cila aktualisht ka humbur shumicën në Parlament.