Mocioni në shqyrtim

Qeveria e Kosovës

Me votat e Partisë Demokratike të Kosovës, pritet që Kuvendi t’i marrë sot besimin Qeverisë Thaçi.

Mocioni i Aleancës Kosova e Re, i nënshkruar nga 40 deputetë, është mbështetur nga partia në pushtet, nga pakicat dhe partia opozitare – Lidhja Demokratike e Dardanisë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë treguar të përmbajtura.

Andaj, 40 nënshkrimet e mocionit pritet të shndërrohen në vota të nevojshme në Parlament, vetëm me mbështetjen e partisë në pushtet.

Duke arsyetuar ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, tha se Kosova ndodhet në krizë institucionale, që u shkaktua pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që pasoi dorëheqjen e presidentit Fatmir Sejdiu dhe tërheqjen e ministrave të LDK-së nga Qeveria.

Për dalje nga kjo krizë, Grupi Parlamentar i AKR-së, i mbështetur nga 40 deputetë, ngrit mocion për mosbesim ndaj Qeverisë dhe kërkon nga Kuvendi ndërmarrjen e veprimeve tjera në pajtim me Kushtetutën”, tha Makolli.

Për t’iu përgjigjur mocionit të AKR-së, në foltoren e Kuvendit doli edhe kryeministri, Hashim Thaçi. Ndonëse bëhej fjalë për shkarkimin e Qeverisë së tij, Thaçi u bëri thirrje deputetëve ta mbështesin mocionin, duke konstatuar se vota për këtë mocion është votë për dalje nga kriza.

“Shteti ynë ka disa javë që është zhytur në një krizë politike e institucionale. Por, po përballemi me test të demokracisë në shtetin tonë të ri. Vota e juaj sot, të nderuar deputetë, është vendim i ri për shtetin e Kosovës, për të vërtetuar përkushtimin tonë për demokraci e liri”, theksoi Thaçi.

Në frymën e fjalimit të Thaçit, në emër të partisë në pushtet, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, tha se kjo parti politike e mbështet mocionin.

Grupi Parlamentar i PDK-së ka vendosur që ta votojë mocionin për mosbesimin e Qeverisë”, tha Buja.

Arsyetimi dhe përmbajtja e mocionit është refuzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo e dalë së voni nga Qeveria. Në emër të saj, shefi i Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri, tha se LDK-ja do të përmbahet nga votimi.

Kurse, deputeti tjetër i LDK-së, Fatmir Rexhepi, shprehu dyshimet se kryeministri Hashim Thaçi ka gisht në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që u pasua me dorëheqjen e presidenti Fatmir Sejdiu, si zanafillë e krizës aktuale.

“Unë e kam dilemën time si deputet dhe e kam vetëm një pyetje për kryeministrin: A ka dorë kryeministri në rrëzimin e presidentit përmes Gjykatës Kushtetuese? Prej ditës kur është larguar presidenti nga detyra për shkak të detyrimit kushtetues, koalicioni ka përfunduar”, tha Rexhepi.

Qeveria Thaçi u cilësua si e dështuar që nga fillimi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar, Ardian Gjini, tha se kjo qeveri është dashur të shkonte nga pushteti qysh moti, pasi që, sipas tij, “ajo ka varfëruar qytetarin e Kosovës, ka zhytur vendin në krim e korrupsion dhe ka cenuar lirinë e shprehjes dhe medias”.

Por, Gjini tha se AAK-ja nuk e mbështet këtë mocion, pasi që ai, sipas tij, është thirrur për të mbajtur zgjedhje në terr dhe pa Ramush Haradinajn.

“Nëse dikush do të kërkonte prej nesh që ta përmbledhim fjalën e kryeministrit, më duket se na tha: Ju lutem shkarkomëni, se a e dini sa i mirë kam qenë...”, u shpreh Gjini.

“Për tre vjetët e këtij koalicioni qeverisës në Kosovë ka lulëzuar krimi, korrupsioni dhe varfëria ekstreme”, tha në emër të Lidhjes Demokratike të Dardanisë shefi i Grupit Parlamentar, Lulëzim Zeneli.

Pavarësisht përmbajtjes së mocionit, LDD-ja u shpreh pro votimit të mocionit, për t’i dhënë fund qeverisjes aktuale.

“LDD-ja do të votojë që kjo qeverisje të shkojë një orë e më parë, duke e cilësuar si mënyrë të vetme për të hapur rrugë për alternativë të re, që qytetarët e Kosovës e presin sot. Ne e përkrahim mocionin dhe do të votojmë pro mocionit”, tha Zeneli.

Debati po vazhdon dhe pritet të përmbyllet me votim. Për miratimin e mocionit mjaftojnë 61 vota të deputetëve. Më pas, Qeveria do të konsiderohej në dorëheqje, kurse Kuvendi do të shpërndahej. Një situatë e tillë e shpie Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme për mesin e muajit dhjetor.