WP: Mesazhi i Vitit të Ri për autokratët

Vladimir Putin dhe Hugo Çavez (Foto arkivi)

"Washington Post"


Uashingtoni dhe kryeqendrat tjera perëndimore hyjnë në një gjumë gjysmë-dimëror gjatë sezonit festiv, duke qenë se shumë zyrtarë nisin pushimet pak më herët. Një gjë e këtillë e bën më të përshtatshëm ambientin për regjimet autokrate që të ndërmarrin veprime në këtë periudhë të vitit, me përshtypjen se pak njerëz do t’i vërejnë të bëmat e këtyre regjimeve.

Bashkimi Sovjetik kishte pushtuar Afganistanin gjatë periudhës së festave më 1979. Edhe Kina, pikërisht në ditën e Krishtlindjeve të vitit të kaluar, kishte dënuar Liu Xhiabon, fituesin e Çmimit Nobel për Paqe 2010, me 11 vjet heqje lirie.

Edhe periudha e këtij viti ka qenë e mbushur me veprime provokative, për të cilat autokratët shpresojnë se do të kalojnë pa u vërejtur. Dënimi i orkestruar i manjatit rus dhe disidentit Mikhail Khodorkovskit ka qenë i paraparë të shqiptohet më 15 dhjetor, por është shtyrë deri më datën 27, në përpjekje, siç kanë thënë disa, për t’i shmangur ndërlikimet në ratifikimin e marrëveshjes START nga ana e Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Por, kjo është vetëm një nga arsyet. Të afërm të të dënuarit kanë thënë se shtyrjet e gjykimit janë bërë në përpjekje për të shmangur vëmendjen e opinionit, marrë parasysh interesimin e madh për këtë rast.

Në Bjellorusinë fqinje, regjimi i Aleksandër Lukashenkos ka zbatuar fushatën më të dhunshme kundër opozitarëve demokratikë në Evropë, që prej trazirave në Poloni më 1981. Duke e cilësuar këtë banditëri si “një ditë të jashtëzakonshme për demokracinë”, Hugo Çavez nga Venezuela shfrytëzoi periudhën e festave për të shtrirë kontrollin e tij të rreptë mbi Internetin, telekomunikacionin dhe organizatat joqeveritare.

Autokratët e shohin të nevojshme t’i mbulojnë masat e tyre represive me petkun e festave dhe kjo nënkupton se atyre u intereson reagimi ndërkombëtar, pikërisht nga frika se nga këto reagime mund të trimërohen oponentët vendorë për të sfiduar autoritetin e tyre.

Rasti i Khodorkovskit padyshim i ka mundësuar Vladimir Putinit të dëshmojë se është ai që mban pushtetin e vërtetë në Rusi, e jo presidenti Dmitri Medvedev, i cili ka tërhequr vërejtjen se është kundër nihilizmit.

Paralajmërimi i Lukashenkos në Bjellorusi se nuk do të lejojë më “lojëra demokratike”, ka qenë në fakt pranim se ka frikë nga ekspozimi poshtërues, të cilin mund ta përjetonte në raundin e dytë zgjedhor.

Mbështetja në rënie për Çavezin e Venezuelës është demonstruar në shtatorin e kaluar, kur ai humbi votat në zgjedhjet parlamentare. Ai tani i ka dhënë vetes pushtet të ri, me të cilin i lejohet të anashkalojë Parlamentin.

Autokratët që shfrytëzojnë sezonin e festave për të forcuar edhe më shumë pushtetin që kanë, duhet të marrin një mesazh të qartë për Vitin e Ri, se janë vërtet në vëzhgim dhe abuzimet që ndërmarrin do të përballen me përgjigje vendimtare. (a.v.)