Para negociatave të vështira

Fotografi nga arkivi

Krijimi i institucioneve nga analistët kosovarë nuk shihet si një punë e lehtë. Ata thanë se vënia e parakushteve nga ndërkombëtarët për një “qeveri të pastër”, si dhe ambicia e partive politike për marrjen e posteve të rëndësishme në institucione, mund t’i zvarrisë negociatat.


Fituesja e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, Partia Demokratike e Kosovës, pret certifikimin e rezultateve para se të nisë negociatat zyrtare me partitë politike për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Analistët i shohin këto si negociata të vështira për disa arsye. E para, sipas Ardian Arifajt, PDK-ja do të ketë probleme brenda vetë partisë për shkak të përzgjedhjes së ministrave, pas kërkesës së ndërkombëtareve për qeveri të pastër.
Puna më e madhe i takon mandatarit t’i gjejë njerëzit.


“Puna më e madhe i takon mandatarit t’i gjejë njerëzit. Unë mendoj se Kosova ka njerëz të atillë. Sot Kosova ka një imazh të dëmtuar edhe nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin për t’i keqësuar raportet edhe më tej me ndërkombëtarët”, tha Arifaj.

Sfidë tjetër, sipas analistëve, po paraqesin edhe ambiciet e partive politike që të sigurojnë poste të rëndësishme në institucionet e ardhshme të vendit.

Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë hapur se do të rrinë në opozitë, subjektet tjera si Aleanca për Kosovë të Re dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thuhet se po kërkojnë të kenë postin e presidentit, respektivisht të kryeministrit.

Arben Qirezi tha se për të pasur sukses negociatat, PDK-ja do të bëjë koncesione që do t’i prekin proceset brenda-partiake.
Për të pasur një proces negociues të suksesshëm, për ta formuar qeverinë, ajo do të duhej bërë koncesione, që do të jenë të dhembshme për proceset e brendshme partiake.


“Partitë, të cilat eventualisht do të vendosnin që të hynin në koalicion me PDK-në, do t’i kenë kërkesat që nuk do të jenë lehtë të përballueshme për partinë fituese. Megjithëse, për të pasur një proces negociues të suksesshëm, për ta formuar qeverinë, ajo do të duhej bërë koncesione, që do të jenë të dhembshme për proceset e brendshme partiake”,
theksoi Qirezi.

Në anën tjetër, njëri nga nënkryetarët e PDK-së, Hajredin Kuçi, tha se PDK-ja do të jetë partia që do ta formojë qeverinë dhe se kjo parti tashmë ka nominuar për kryeministër Hashim Thaçin. Ai u shpreh se për PDK-në nuk do të jetë vështirë të sigurohet shumica në Kuvend, ndërkohë që ua tërhoqi vërejtjen partive të “mos llogarisin se mund ta shantazhojnë PDK-në me kërkesa joreale për krijimin e qeverisë së ardhshme”.

Por, pavarësisht kësaj, Ardian Arifaj vlerësoi se PDK-ja nuk ka zgjidhje tjetër, pos të marrë parasysh kërkesat e subjekteve politike që e shohin veten në pushtet dhe jo në opozitë.

“Të gjitha partitë kanë pasur kërkesa relativisht të mëdha, që ia kanë shtruar PDK-së dhe PDK-ja nuk ka zgjidhje tjetër pos t’i marrë parasysh kërkesat e partive tjera”,
vlerësoi Arifaj.

Ndryshe, PDK-ja ende nuk ka saktësuar ndonjë formulë të mundshme qeverisëse. Në opinion kanë qarkulluar formula të ndryshme si ajo PDK-AAK-AKR në pushtet, ndërsa LDK e Vetëvendosje në opozitë.

Por, për shkak të bisedimeve me Serbinë është shqyrtuar edhe mundësia e një koalicioni të gjerë gjithëpërfshirës. Megjithatë, asnjë nga këto nuk është konfirmuar nga partia, e cila është mandatare e qeverisë së ardhshme, në bazë të votave që mori më 12 dhjetor.