Shtatëmbëdhjetë shtetet e Eurozonës, plus shumica por jo të gjitha shtetet tjera të Bashkimit Evropian, kanë rënë dakord për një marrëveshje të re për shpëtimin e monedhës së përbashkët të Evropës.
Gjatë negociatave që zgjatën deri në mëngjes, liderët e 23 shteteve, nga gjithsej 27 shtete të BE-së, kanë rënë dakord të dorëzojnë më shumë nga sovraniteti i tyre nën një "kompakt të ri fiskal".
Marrëveshja, për të cilën shpresojnë se do të përfundojë deri në muajin mars, kërkon disiplinë më të rreptë buxhetore dhe përfshin disa sanksione për shkelësit e kësaj disipline.
Kjo marrëveshje nuk përfshin katër vende anëtare të BE-së. Ato janë: Britania, e cila ka qëndruar larg nga euroja, Republika Çeke, Hungaria dhe Suedia - shtete këto që ende nuk kanë mandat nga parlamentet e tyre për t'u bashkuar me euron.
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, tha se janë bërë disa përpjekje për të përfunduar në një marrëveshje, në të cilën do të bashkoheshin të gjitha 27 shtetet anëtare.
Por, sipas tij, kjo u bë e pamundur kur Mbretëria e Bashkuar kërkoi një protokoll të veçantë për të përjashtuar Londrën nga rregulloret financiare.
“Ne do të preferonim një reformë të traktatit për 27 vendet anëtare. Kjo nuk ishte e mundur, duke pasur parasysh pozitën e miqve tanë britanikë. Dhe kështu, marrëveshja do të jetë përmes një traktati ndërqeveritar të 17 vendeve, që do të jetë i hapur për të tjerët", tha Sarkozi.
Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, e quajti marrëveshjen "një traktat brenda traktatit", të cilin Britania nuk do ta nënshkruajë.
"Kjo që po ofrohet nuk është në interes të Britanisë, kështu që nuk u pajtova për të. Më lejoni të shpjegoj pse ka rëndësi kjo çështje. Natyrisht, ne duam që vendet e Eurozonës të bashkohen dhe t’i zgjidhin problemet e tyre, por ne duhet të lejojmë që kjo të ndodhë vetëm brenda një traktati të Bashkimit Evropian, që ka mbrojtje të duhur për tregun dhe për interesa të tjera të rëndësishme britanike”, tha Kameron.
Krerët e qeverive pritet të takohen përsëri në Bruksel, për të diskutuar rreth përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje dhe mënyrës se si shkelësit e saj do të ndëshkohen.
Derisa krerët e 23 vendeve kanë për qëllim që marrëveshja të përfundohet deri në muajin mars, mbetet e paqartë se çfarë lloj ratifikimi do t’i duhet marrëveshjes për të hyrë në fuqi.
Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuj, njëherësh kryetar i këtij takimi, e cilësoi marrëveshjen si diçka që mund të zhvillohet shpejt.
"Një traktat ndërqeveritar mund të miratohet dhe të ratifikohet shumë më shpejt se një ndryshim i plotë i traktatit. Unë mendoj se shpejtësia është gjithashtu shumë e rëndësishme për të rritur besueshmërinë", tha ai.
Nëse këto parashikime dalin të sakta, sidomos në vendet si Irlanda, ku Kushtetuta kërkon që çdo transferim të vihet në referendum, mbetet një çështje e hapur.
Çfarë do të ndodhë me ndonjë anëtar aktual të Eurozonës, i cili nuk arrin të marrë miratimin e qeverisë së vet për këtë marrëveshje? Do të duhet të heqë dorë nga monedha e përbashkët?
Pavarësisht pyetjeve, optimizmi ishte i lartë në Bruksel.
Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso, e deklaroi veten të kënaqur me marrëveshjen dhe tha se shpreson që ajo të sjellë përsëri besimin në zonën e euros.
"Thelbi i këtyre çështjeve janë problemet e besimit. Unë mendoj se është e rëndësishme që shtetet anëtare të Eurozonës kanë vendosur sot që të ketë një rregull të ri fiskal - një rregull i ri fiskal që është shumë më ambicioz sesa ai që kemi përdorur deri tani”, tha Baroso.
Në këtë takim në Bruksel u morën edhe masa të reja për të ndaluar krizën nga përhapja në vendet e tjera të Eurozonës.
Udhëheqësit e BE-së ranë dakord që mjeti i përhershëm i shpëtimit, Mekanizmi Evropian për Stabilitet, që përmban 500 miliardë euro, të hyjë në fuqi në vitin 2012, një vit më herët se parashikimet.
Ata gjithashtu ranë dakord t'i japin edhe 200 miliardë euro për Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili do t’i kanalizojë këto mjete sipas nevojës. (e.b.)
Lexoni edhe këtë:
Çfarë do të ndodhë nëse shpërbëhet Eurozona?