Putini fitoi betejën, por jo edhe luftën

  • Brian Whitmore

Vlladimir Putin


Kur kryeministri Vladimri Putin shkoi për të votuar në zgjedhjet e së dielës, atij aksidentalisht i ra fletëvotimi në tokë, para se ta hidhte atë në kutinë e votimit.

Menjëherë pasi u largua nga qendra e votimit, u shfaqën aktivistet e “Femen”-it, grupit ukrainas për të drejtat e grave, pa bluza sipër, dhe u përpoqën të vidhnin kutinë e votimit, duke brohoritur “Putini është hajdut”, para se të kapeshin nga policia.

Por, simbolizmi i kësaj u humb shumë shpejt. Putini deklaroi fitore vendimtare në raundin e parë të zgjedhjeve të së dielës, që, sipas kundërshtarëve të tij dhe vëzhguesve të pavarur, u përcollën me mashtrime. Megjithatë, pathyeshmëria dhe autoriteti i pasfiduar, që e karakterizonin Putinin në dy mandatet e para në Kremlin, duket të jenë zbehur, thonë analistët.

Nikolas Gvozdev, i cili është vrojtues i gjatë i çështjeve në Rusi, thotë:

Putin pretendon presidencën, ashtu siç edhe pritej. Por, ai nuk do të pretendojë autoritetin që kishte në dy mandatet e mëparshme”.

Për dallim nga rritja e tij në pushtet një dekadë më parë, kur konsiderohej si shpëtimtari që do të sillte stabilitet në Rusinë e pas-kaosit të viteve 1990, Putini tani shfaqet si një figurë e zvogëluar.

Ai duhet të qeverisë një vend, ku një numër i konsiderueshëm i klasës së mesme e sheh kthimin e tij në pushtet si të paligjshëm. Ai përballet me një elitë që është e ndarë në mes të nevojës për reformim dhe modernizim të ekonomisë dhe sistemit politik.

Mendoj se Putini ka fituar betejën, por ka humbur luftën. Ai ka humbur luftën në dy kuptime. Premtimet që ka bërë në fushatën zgjedhore janë të paqëndrueshme. Ai nuk mund t’i mbajë ato që flasin për çmimin e naftës në 110 dollarë për fuçi, kështu që do t’i zhgënjejë mbështetësit. Ai po ashtu humbi luftën për t’i bindur protestuesit se Rusia është në rrugë drejt modernizimit dhe sistemit pluralist”, thotë korrespondenti i britanikes “Economist”, Eduard Lukas.

Elita ruse, posaçërisht ish-ministri i Financave, Aleksej Kudrin, ka thënë se ekonomia ruse nuk duhet të varet nga eksportet e naftës dhe të gazit dhe se sistemi autoritar politik duhet të jetë i hapur për të lejuar progresin e shoqërisë.

Lukas thotë se reformat e vërteta do t’i çonin në pozita të pakëndshme shumë njerëz të rrethit të brendshëm të Putinit, në lidhje me korrupsionin dhe një sërë vrasjesh të pazgjidhura, si ajo e gazetares hulumtuese, Ana Politkovskaja, më 2006, dhe e aktivistes për të drejtat e njeriut, Natalia Estemirova, më 2009.

Çështja themelore është se çdo reformë e vërtetë duhet të përfshijë sundimin e ligjit dhe mediat e hapura. Përderisa ju keni sundim të ligjit dhe media të hapura, do të keni edhe pyetje mjaft të vështira për zotin Putin dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Si janë pasuruar ata? Ku kanë shkuar paratë dhe kush i ka vrarë të gjithë këta njerëz? Kur ju të keni një sistem politik që është i hapur, jo sa për sy e faqe, por vërtet, njerëzit do t’i shtrojnë të gjitha këto pyetje dhe do të duan përgjigje”, thotë Lukas.

Elita e ndarë, që aktualisht mbizotëron në Rusi, sipas analistëve, i hap mundësinë lëvizjes së protestave të shtyjë përpara reformat politike dhe ekonomike.

Protestat anti-qeveritare në Rusi kanë nisur që pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të kaluar, kur partia e Putinit, Rusia e Bashkuar, fitoi shumicën. Opozita e kishte akuzuar për mashtrime të mëdha. (v.t.)