Liderë botërorë dënojnë vrasjen e ambasadorit amerikan

Kristofer Stivens

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe udhëheqës të tjerë ndërkombëtarë kanë dënuar sulmin ndaj Konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, ku kanë humbur jetën ambasadori i SHBA-së, Kristofer Stivens, dhe tre amerikanë të tjerë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka thënë se “një dhunë e tillë nuk mund të justifikohet kurrë”.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, e ka cilësuar atë si “të neveritshme”.

Ky është krim i papranueshëm dhe i urryer, ka thënë presidenti i Francës, Fransua Holland, duke iu bërë thirrje autoriteteve libiane që “të hedhin dritë mbi ngjarjen”.

Kreu i Asamblesë Kombëtare të Libisë, Muhamed Magarife, është zotuar se Tripoli do të sjellë autorët para drejtësisë.

Sulmi në Bengazi thuhet se ka qenë reagim i zemëruar ndaj një filmi që “fyen” Profetin Muhamed.

Filmi raportohet të jetë bërë nga një izraelito-amerikan, me emrin Sam Bacile.

Disa orë para sulmit në Bengazi është sulmuar edhe kompleksi i Ambasadës së SHBA-së në Kajro, në shenjë proteste kundër filmit.

Në Egjipt, Vëllazëria Myslimane ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare të premten.