G20: Çështjet ekonomike nën hijen e krizës në Siri

G20

Samiti G20 në Shën Petersburg të Rusisë, në të cilin morën pjesë liderë të vendeve ekonomikisht më të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, i mbyllë punimet me përshtypjen se çështjet ekonomike kishin mbetur nën hijen e krizës në Siri.

Samiti, që filloi dje në Shën Petrsburg, në pjesën veriore të Rusisë, u bë në periudhën e tensioneve në rritje ndërmjet presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i cili ka bërë thirrje për aksion ushtarak kundër Sirisë, për shkak të sulmit të dyshuar kimik, dhe presidentit të Rusisë, Vlladimir Putin, që është kritiku më i zëshëm i planit për sulm kundër regjimit të Sirisë.

Uashingtoni thotë se forcat e Sirisë e kanë përdorë gazin Sarin kundër civilëve në lagjet e kryeqytetit Damask, më 21 të muajit të kaluar, me ç’rast u vranë më se 1400 vetë.

Raportohet se presidenti Obama u vonua për drekën e samitit, mikpritës i së cilës ishte presidenti Putin, që duket se është një shenjë e freskët e marrëdhënieve të ftohta ndërmjet dy liderëve.

Nga ana tjetër, Kina, Bashkimi Evropian, Brazil, India dhe Afrika Jugore, janë shprehur kundër aksionit ushtarak në Siri.

Zëvendësministri i financave i Kinës, Zhu Guangyao, tha se aksioni ushtarak kundër Sirisë do të ndikoj negativisht në ekonominë globale dhe veçanërisht në çmimin e naftës.

Papa Françesk nëpërmjet një letre në fillim të samitit, ka kërkuar nga liderët e Grupit të 20 vendeve, që “t’i lënë anash aktivitetet e pafrytshme të zgjidhjes ushtarake”.

Liderët e Bashkimit Evropian e kanë përshkruar sulmin e 21 gushtit afër Damaskut, si “të neveritshëm” por theksuan se “nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Siri”.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, dhe i dërguari special i OKB-së në Siri, Lakhdar Brahimi, gjenden në Shën Petersburg, me shpresë se mund të arrijnë marrëveshje për mbajtjen e një konference paqësore ndërkombëtare për Sirinë.

Kryeministri britanik, David Cameron, i tha rrjetit BBC, se dëshmitë kundër presidentit sirian, Bashar al-Assad, po “shtohen çdo ditë e më tepër”.

“Ne posa i shikuam disa ekzemplarë nga Damasku në laboratorin Porton Down në Britani, që më tutje tregon për përdorimin e armatimit kimik në atë lagje të Damaskut”, tha David Cameron.

Në hapje të samitit, presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, e ka lavdëruar punën e Grupit 20, prej krizës financiare 2008-2009.

“Megjithatë, është shumë herët për vetëkënaqësi. Detyra jonë kryesore është që ekonominë globale ta kthejmë në rritjen e qëndrueshme dhe të balancuar. Kjo detyrë, për fat të keq, nuk është zgjidhur ende. Kjo nënkupton se rreziqet sistemore dhe kushtet për rikthimin e një krize akute mbesin aktuale”, tha Putin.

Përkundër dallimeve, liderët e Grupit 20 pritet ta miratojnë deklaratën e samitit se ekonomia globale po përmirësohet, megjithëqë është shumë herët të shpallet përfundimi i krizës, i ka thënë agjencisë Reuters një zyrtar rus i involvuar në propozim-tekstin e dokumentit përfundimtar të samitit.

Liderët e vendeve të G20-ës, që përbëjnë 90% të ekonomisë botërore dhe dy të tretat e popullatës në botë, do ta mbështesin kumtesën e ministrave të financave të publikuar në muajin korrik, me të cilën kërkohet që ndryshimet e politikës monetare duhet të “kalibrohen në mënyrë të kujdesshme dhe të komunikohen në mënyrë të qartë”.

Vendet anëtare të këtij grupi kanë mospajtime ndaj shpejtësisë së ritmit të ripërtëritjes në Shtetet e Bashkuara, mbetjes prapa të Evropës, ndërsa ekonomitë në zhvillim, kanë shqetësime për ndikimin e planeve të Rezervave Federale të Shteteve të Bashkuara për ndaljen e programit të blerjes së fletobligacioneve, që ka ndihmuar në stimulimin e ekonomisë së Shteteve të Bashkuara.

Ekonomitë që po dalin në shesh, Rusia, India, Kina, Afrika Jugore dhe Brazili, janë pajtuar për ta krijuar një fond prej 100 miliardë dollarëve amerikanë për rezervë monetare të përbashkët, por për realizimin e tij kërkohet kohë. (f. bujupi)