Shefja e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Navi Pillay, i ka dënuar militantët e Shtetit Islamik (IS) për fushatën e tyre “të pastrimit etnik dhe religjioz” në Irak.
Në një deklaratë të sotme, ajo tha se ishte e “tmerruar” me krimet e kryera nga forcat e Shtetit Islamik, përfshirë vrasjet, skllavërinë, keqtrajtimet seksuale, dhe sulmet kundër njerëzve për shkak të etnicitetit ose religjionit.
Pillay tha se shkeljet e dokumentuara nga hetuesit e Kombeve të Bashkuara mund të paraqesin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Sipas saj, në mesin e atyre që janë në shënjestër të Shtetit Islamik, përfshihen të krishterët, jazidët dhe turkmenët.
Më 10 qershor, sipas dokumenteve të personave që punojnë për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, pjesëtarët e Shtetit Islamik i kanë vrarë deri në 670 të burgosur në burgun Badush në Mosul të Irakut.