Raportohet për intensifikim të luftimeve mes militantëve të Shtetit Islamik (IS) dhe luftëtarëve kurd afër Kobanit, qytet sirian afër kufirit me Turqinë.
Sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, militantët e IS po i afrohen Kobanit, vend ky që ka një pozicion strategjik që lidh veriun dhe veri-perëndimin e Sirisë.
Këto raporte vijnë, sot, një ditë pasi që koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA, ka zhvilluar më së paku 5 sulme ajrore kundër militantëve të IS, në Siri.
Përplasje të ashpra po ndodhin rreth Kobanit, qysh nga mesi i shtatorit, prej se militantët e IS, po përpiqen që të marrin këtë zonë.
Sulmet dhe përparimet e tyre, kanë bërë që më shumë se 150,000 kurdë të ikin për në Turqi.
Më 1 tetor, Observatori britanik, ka njoftuar se 9 luftëtarë kurdë, përfshirë edhe tri gra, janë kapur afër Kobanit, dhe iu janë prerë kokat, nga militantët e Shtetit Islamik.