Zaev: Qeveria ka përgjuar qindra gazetarë

Zoran Zaev gjatë një konference për shtyp

Qeveria e Maqedonisë ka përgjuar qindra gazetarë në mënyrë të paligjshme, ka bërë të ditur lideri i opozitës, Zoran Zaev duke prezantuar dëshmi të reja mbi aferën e përgjimeve.

Ai ka paraqitur audio-incizime të reja me të cilat dëshmohet se si Drejtori i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim Sasho Mijalkov dhe Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska bisedojnë për mediat që janë vënë në kontrollin e pushtetit, apo se si ato duhet të raportojnë në favor të pushtetit aktual.

Janë publikuar edhe incizime nga bisedat e gazetarëve të afërt me qeverinë se si të raportojnë për ngjarje të caktuara.

Në një incizim tjetër, paraqitet edhe kryeministri Nikolla Gruevski, i cili autorizon ministrin e Transportit, Mile Janakievski që në llogarinë e një televizioni të paguajë 500 mijë euro, për gjoja programe dokumentare, por që në fakt janë shpërblim për raportimin në favor të politikave të ekzekutivit.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se gazetarët që nuk i janë nënshtruar pushtetit aktual janë përgjuar pandërprerë prej 2 deri me 4 vjet ndërsa ndër më të përgjuarit është ish-gazetari dhe pronari i javores “Fokus”, Nikolla Mlladenov, i cili ka humbur jetën në një aksident komunikacioni.

“Materialet që janë me shenjën e DSK-së (Drejtorisë për Zblim dhe Kundërzbulim) tregojnë se gazetarët profesionistë dhe ata që kanë kritikuar qeverinë, janë përgjuar në mënyrë të veçantë. Për çdo gazetar ka dosje të veçantë dhe analizë të bërë nga DSK-ja. Kjo është një goditje e fuqishme ndaj punës së medaive, fjalës së lirë dhe demokracisë në përgjithësi. Pas kësaj më askush nuk duhet të ketë dilema se në çfarë regjimi jetojmë gjithë këto vite të qeverisjes së kësaj garniture” ka deklaruar Zaev.

“Bomba” e sotme, siç quhen dëshmitë e aferës së përgjimeve janë të katërtat që nisja e publikimit të tyre dy javë më parë, e që kishin të bëjnë me ndërhyrjen e pushtetit në pavarësinë e gjyqësorit, arrestimet e kundërshtarëve politik, përgjigjet e përfaqësuesve të partive shqipe e dëshmi tjera, që sipas Zaevit, do të prezantohen edhe në ditët në vijim, deri në siç shprehet “zbardhjen e së vërtetës dhe demokracisë dhe sundimit të së drejtës në Maqedoni”.