Senatori i Shteteve të Bashkuara, Robert Menendez, demokrat nga Nju Xhersi, tha se gjatë punës së tij shumëvjeçare në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ka punuar në harmoni me ligjin.
“Gjithnjë jam sjellur në mënyrë përkatëse dhe në harmoni me ligjin. Secili aksion, që unë dhe zyra ime e kemi ndërmarrë gjatë 23 viteve të fundit, gjatë të cilave unë isha i privilegjuar të jem në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ishin bazuar në ndjekjen e politikave më të mira për popullin e Nju Xhersit dhe të gjithë këtij vendi”, tha mbrëmë vonë senatori, Robert Menendez, në një konferencë për gazetarë në Njuvark të Nju Xhersit.
Këto komente u bënë pasi rrjeti televiziv CNN raportoi se Autoritetet e Shteteve të Bashkuara janë të gatshme për të paraqitur akuza për korrupsion kundër senatorit demokrat, Robert Menendez, nga Nju Xhersi.
Senatori Menendez ka kërkuar qëndrim më të ashpër kundër programit atomik iranian dhe intervenimit të Rusisë në Ukrainë.
Departamenti amerikan i drejtësisë ka shprehur dyshime se anëtari me ndikimin në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit, Robert Menendez, e ka shfrytëzuar postin e tij për të promovuar interesa biznesore të një donatori për Partinë Demokratike në këmbim për dhurata.
Një zyrtar tha se akuzat pritet të paraqiten gjatë javëve të ardhshme.