Papa Françesku u ka bërë thirrje myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve të Bosnjës, që t'i lënë prapa “plagët e thella” të së kaluarës dhe të punojnë së bashku për një të ardhme paqësore.
Vizita e tij në Sarajevë, të populluar me shumicën myslimane, kishte si qëllim adresimin e mesazheve për pajtim, paqe e bashkëjetesë pas luftës së viteve 1992 - 1995.
Në fjalimin e tij para Presidencës tre- anëtarëshe të Bosnjës, Papa u bëri thirrje qytetarëve të Bosnjësqë të kundërshtojnë “barbarinë” e atyre që vazhdojnë të mbjellin ndarjen “si një pretekst për dhunë të tmerrshme”.
"Jam i lumtur që kam ardhur në këtë qytet, i cili ka vuajtur shumë nga konfliktet në fund të shekullit të kaluar, por që sërish është kthyer në vend të dialogut dhe bashkëjetesës", ka thënë Papa Françesku.
Kurse, kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Mlladen Ivaniq, ka thënë se vizita e Papa Françeskut është një ngjarje e madhe për Bosnjën.
"Me vizitën tuaj, ju mundësoni që Bosnja sërish të jetë një ngjarje globale mediale, por kësaj radhe me ngjarje që adresojnë mesazhe pozitive drejt botës", ka thënë Ivaniq.
Ati i Shenjtë, 78 vjeç, u ka bërë thirrje të tri komuniteteve më të mëdha të këtij vendi që të vazhdojnë të punojnë për paqe dhe respekt ndërfetar, përmes durimit dhe dialogut të besueshëm.
“Kjo do të lejojë që zërat e ndryshëm të bashkohen dhe të krijojnë një melodi sublime të fisnikërisë dhe bukurisë, në vend të klithmave fanatike të urrejtjes”, ka thënë ai.
Papa Françesku më pas ka shkuar në stadiumin e Sarajevës, ku edhe është zhvilluar ngjarja kryesore e vizitës së tij, e në ku ishin të pranishëm rreth 70 mijë njerëz, shumica prej tyre katolikë.
Mëngjesin e së shtunës, Papa Françesku ka arritur në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës.
Fëmijë të veshur në kostume tradicionale të tri religjioneve kryesore në këtë vend, ishin mbledhur të presin Papa Françeskun në Aeroportin e Sarajevës.
Në këtë vizitë një ditore në Sarajevë, papa Françesku u mirëprit nga mijëra qytetarë, të cilët kishin dalë ta përshëndesnin atë, derisa po kalonte autokolona prej aeroportit nëpër qytetin e banuar nga rreth 300 mijë myslimanë.
Hera e fundit kur një lider i Vatikanit ka vizituar këtë vend, ka qenë 20 vjet më parë, pas përfundimit të luftës.
Gjatë kësaj vizite, masat e sigurisë ishin të larta. Autoritetet kishin angazhuar 5 mijë policë që të jenë në detyrë.
Shteti i Bosnjë e Hercegovinës ka rreth 3. 8 milion banorë dhe është i ndarë në Republikën Serbe të Bosnjës dhe në Federatën Kroate-Myslimane. Llogaritet se 40 për qind e popullatës e përbëjnë boshnjakët myslimanë, kurse nga 30 për qind kroatët katolikë dhe po aq, serbët ortodoks.