Presidenti amerikan Barack Obama ka “gjasa të mira për të qenë i suksesshëm”, në përballje me republikanët në Kongres lidhur me marrëveshjen bërthamore të Iranit, ka thënë lideri i republikanëve në Senat, Mitch McConnell.
Republikanët të cilët janë shumicë në Senat pritet që të refuzojnë marrëveshjen e Iranit dhe të bëjnë një rezolutë që ka për qëllim dënimin e kësaj marrëveshjeje.
Por Obama mund të vendos veto për këtë rezolutë dhe është në pikëpyetje nëse republikanët mund t’i sigurojnë dy të tretat e votave që duhet për të rëzuar veton presidenciale.
McConnel gjatë një takimi në Kuntucky foli për vështirrësitë e arritjes së votave për të hedhur poshtë veton.
Obamës i duhet që 34 senatorë demokratë të përkrahin veton e tij dhe deri më tani 20 kanë deklaruar se do të bëjnë një gjë të tillë.
Në Kongres, 146 demokratë duhet të mbështesin veton dhe deri më tash 48 kongresistë janë shprehur se do ta përkrahin marrëveshjen.
“Ai mund të fitoi me një të tretat e votave plus me votat në Kongres”, ka thënë McConnell.
“Prandaj ai ka shumë gjasa që të tregohet i suksesshëm”, ka thënë tutje ai.
Pranimi publik i McConellit se Obama ka përparësi reflekton në atë se çfarë qëndrimesh po shprehin privatisht demokratët dhe republikanët. Komentet e tij vijnë në kohën kur dy palët janë duke shpenzuar miliona dollarë në fushatën e tyre për të bindur ligjvënësit e tyre se si të votojnë për këtë marrëveshje.
McConnell tha se ai do të ishte i befasuar nëse ndonjë republikan në Senat do të mbështeste marrëveshjen. Ai shtoi se edhe nëse Obama fiton, marrëveshja mund të rishikohet nga presidenti i ardhshëm, i cili edhe mund të jetë nga radhët e republikanëve.
“Fushata e presidentit për të miratuar këtë marrëveshje do të varet krejtësisht nga demokratët”, ka thënë ai.
Deri më tani, senatori demokrat Chuck Schumer është deklaruar kundër marrëveshjes. Po ashtu edhe Robert Menendez ka lënë të nënkuptohet se është kundër marrëveshjes bërthamore me Republikën Islamike.
Republikani McConnel thotë se qëndrime të tilla opozitare në mesin e demokratëve, për repubikanët janë ndihmë.
“Shpresojmë që do ta mposhtim por procedurat qartazi janë në favorin e presidentit. Por do të shohim”, ka thënë ai.
McConnell ka thënë se marrëveshja me Iranin nuk është e mirë më shumë aspekte.
“Ajo i lë iranianët të aftë për të zhvilluar kapacitete bërthamore. Irani është sponsori më i madh i terrorizmit në botë sot”, ka thënë McConnel.