Britania i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të përshpejtojë dëbimin e njerëzve që nuk kualifikohen për azil.
Ministrja e Brendshme, Theresa May, ka thënë se do që “Evropa të përshpejtojë lojën e saj”.
Ajo ka thënë se Bashkimi Evropian “duhet t’i kthejë prapa në vendet e origjinës migrantët ekonomikë”
“Duhet të ndërmarrim masa ndaj atyre që abuzojnë me sistemin e azilit”, ka thënë May.
Komentet e saj vijnë në prag të samitit të ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksemburg.
Ata pritet të miratojnë sot disa masa, të cilat përfshijnë edhe arrestimin e atyre që mund të arratisen përpara se të dëbohen.
Po ashtu mund të kërkohet presion më i madh në vendet e origjinës për të riatdhesuar njerëzit.
Samiti vjen në kohën kur vendet e Bashkimit Evropian po përballen me një fluks të madh migrantësh që ikin nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika.
Mbi 600,000 njerëz kanë arritur vetëm këtë vit në BE.