Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në një konferencë për media ka folur rreth zhvillimeve të fundit në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë dhe vendimin për shfuqizimin e vendimit të Këshillit Drejtues për shkarkimin e rektorit,Ramadan Zejnullahu.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se “ministri Bajrami fillimisht ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës për pranimin e vendit tonë në UNESCO.”
“Në këto ditë shumë të gëzueshme kur po trasojmë rrugën e integrimit evropian, ne kemi shqetësime të përbashkëta për gjendjen jo të mirë dhe zhvillimet shqetësuese në Universitetin e Prishtinës dhe kemi ndarë këto shqetësime me profesorët dhe studentët, sepse MAShT dhe Qeveria e Kosovës janë të vendosur për të krijuar një stabilitet funksional të Universitetit. Ky vit është shpallë si vit i ngritjes dhe demonstrimit substancial të cilësisë”.
Ministri Bajrami ka përmendur mbështetjen që i është bërë Universitetit të Prishtinës dhe rektorit “për reformat, si dhe për përpjekjet për ndërtimin e standardeve të larta të cilësisë dhe rendit akademik.”
“Interesi publik dhe i studentëve është që në Universitet të ketë zgjidhje të problemeve me marrëveshje dhe jemi kundër cilësdo krizë dhe sidomos kundër logjikës së shkarkimeve, sepse kjo logjikë gjithmonë e ka penguar Universitetin e Prishtinës”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se kemi punuar shumë që këtë Universitet ta mbështesim me donatorë dhe i kemi siguruar mbështetje të fuqishme.” thuhet në njoftim.
Vendimin për shkarkimin e rektorit, ministri Bajrami e ka vlerësuar të përshpejtuar dhe të pamatur dhe ka thënë “se ky vendim nuk do ta nxirrte Universitetin nga kriza, por do ta fuste në një krizë edhe më të thellë.”