Producenti i një seriali komik të rrjetit televiziv amerikan CBS ka kërkuar falje lidhur me shakatë e bëra për Masakrën e Srebrenicës.
Boshnjakët në Evropë dhe në Amerikën e Veriut kanë reaguar me zemërim pas transmetimit të një episodi të serialit “Çifti i çuditshëm”, muajin e kaluar.
Në këtë episod, një personazh mashkull e fton në takim një vajzë në një restorant serb, i quajtur “Shija e Srebrenicës”.
Ai gjithashtu e shqipton keq emrin e qytetit në të cilin janë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1995.
Në deklaratën e CBS-it, dërguar Radios Evropa e Lirë, producenti Bob Daily thotë:
“Nuk kemi pasur dijeni për çfarëdo lidhjeje me tragjedinë e tmerrshme në Srebrenicë. Ne kurrë nuk do të shpërfillnim me qëllim një ngjarje të tillë dhe sinqerisht i kërkojmë falje kujtdo që është ofenduar”, ka thënë Daily.
“Të thuash eja të shkojmë në një restorant të ri të quajtur ‘Shija e Srebrenicës’ është njësoj sikurse të thuash diçka të tmerrshme të llojit: Eja të shkojmë në një restorant të ri gjerman të quajtur ‘Shija e Auschwitzit’,” ka thënë përmes një letre të hapur Kongresi i Boshnjakëve të Amerikës së Veriut, i cili përfaqëson migrantët dhe refugjatët nga ky rajon i ish-Jugosllavisë.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, CBS nuk ka dhënë menjëherë përgjigje ndaj një kërkese përmes emailit, për të komentuar lidhur me episodin në fjalë.
Në vitin 2004, tribunali i Kombeve të Bashkuara që merret me krimet e luftës në ish-Jugosllavi, ngjarjet e Srebrenicës i ka cilësuar zyrtarisht si gjenocid.
Ju mund ta lexoni edhe këtë:
Shakaja pa shije e serialit amerikan e quajtur "Shija e Srebrenicës”