Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Skënder Hyseni, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, si dhe mungesa e marrëdhënieve diplomatike me këto dy vende të rajonit, është pengesë kryesore për shkëmbim informatash dhe angazhimin më substancial të vendit në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në kontekstin rajonal.
“Me Serbinë dhe Bosnjën ka deficit pothuajse total të këmbimit të çfarëdo informacioni. Ndërkohë që me vendet tjera të rajonit ne kemi bashkëpunim të mirë, përgjithësisht. Diku më mirë e diku jo edhe aq kënaqshëm. Me Shqipërinë kemi bashkëpunim të ngushtë, ndërkohë që me vendet tjera, ende ka shumë punë për tu bërë".
"Ka bashkëpunim me Malin e Zi, por me Maqedoninë ndonjëherë është pak sa më i ndërlikuar bashkëpunimi. Sido që të jetë, Kosova është shumë e hapur për bashkëpunim në këtë fushë. Natyrisht, për bashkëpunim në kanale strikte zyrtare dhe serioze”, ka theksuar ministri Hyseni.
Muajin e kaluar, Kosova ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me FRONTEX-in, agjenci kjo e specializuar e Bashkimit Evropian për menaxhim të kufijve dhe luftimin e të gjitha krimeve tej kufitare, përfshirë edhe ekstremizmin.
Megjithatë, mospranimi i Kosovës, si shtet i pavarur, nga ana e Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si dhe 5 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e ka lënë vendin jashtë organizmave ndërkombëtarë të sigurisë, sikurse Interpoli.
Ministri Hyseni, ka theksuar se mungesa e shkëmbimit të informatave me organizmat e tillë dhe me iniciativat rajonale të sigurisë, e hendikepon Kosovën në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Autoritetet serbe, me hyrjen në procesin e dialogut në Bruksel, kanë marrë mbi vete obligimin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Por, pavarësisht këtij fakti, kur bëhet fjalë për nisma të ndryshme rajonale, të cilat mund ta ndërlidhin edhe Kosovën, autoritetet serbe e kundërshtojnë ashpër një gjë të tillë.
Milovan Drecun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, e ka quajtur vlerësimin e Departamentit Amerikan të Shtetit si një politizim të njëanshëm.
“Politikanët në Kosovë shumë shpesh janë të pranishëm në iniciativat dhe organizimet e ndryshme rajonale . Nuk e shoh arsyetimin e paaftësisë së tyre që të punojnë në mënyrë më aktive për pengimin e zgjerimit të islamit radikal dhe ekstremizmit. Mekanizmi ekziston, por nëse dikush dëshiron ta politizojë luftën kundër terrorizmit, ashtu sikurse po sugjerohet tash me faktin se ata nuk janë të njohur si shtet dhe që Serbia nuk do që t’i pranojë, atëherë ky më nuk është problem i yni”, ka theksuar Drecun.
Në anën tjetër, në Bosnjë e Hercegovinë, ka vlerësime të ndryshme lidhur me bashkëpunimin rajonal kundër terrorizmit dhe pengesat që ka Kosova për tu ndërlidhur ne një bashkëpunim të tillë.
Shemsudin Mehmedoviq, anëtar i Komisionit për mbrojtje dhe siguri i Kuvendit të Bosnjë e Hercegovinës, thotë për Radion Evropa e Lirë që është i vetëdijshëm që për shkak të rregullimit të brendshëm, Bosnjë e Hercegovina e pason politikën e Serbisë lidhur me pranimin e Kosovës. Por, sipas tij, kjo nuk duhet të nënkuptojë që duhet mbetu në situatën që të mos pranohen në formë të ndërsjellë, dokumentet themelore.
“Pengimi i lëvizjes së njerëzve është pengim edhe i luftës kundër terrorizmit, e të mos flasim për probleme ekonomike. Ata që merren me veprime të paligjshme, ata gjithmonë kanë qenë një hap para ligjit dhe atyre që e zbatojnë ligjin”, tha Mehmedoviq.
Por, Dushanka Majkiq nga klubi parlamentar i Lidhjes së Socialdemokratëve të Pavarur në Kuvendin e Bosnjë e Hercegovinës, nuk e sheh këtë situatë si problematike.
“Se a e ndikon kjo në rrezikun ndaj sigurisë apo luftën kundër terrorizmit, agjencitë ndërkombëtare nuk e kanë thënë këtë në mënyrë eksplicite”, theksoi Majkiq.
Pengesa politike
Skender Perteshi, analist i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pengesat më të mëdha ndaj Kosovës për tu bërë pjesë e iniciativave rajonale dhe ndërkombëtare në luftë kundër terrorizmit, vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat nuk e kane njohur pavarësinë e vendit.
Pengesat e tilla, ai i vlerëson si politike.
Goran Bogdanoviq, ish ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe anëtar i Këshillit për Kosovën në mandatin e kaluar parlamentar, i ka thënë Radios evropa e Lirë se koha ka treguar se qasja e Serbisë është e gabuar.
“Kam frikë se ende nuk ka një vullnet politik që problemet e tilla të trajtohen në mënyrë adekuate. Po ju përkujtoj që partitë politike po luftojnë me retorikë për Bashkimin Evropian dhe për bashkëpunim, ndërkaq në anën tjetër, bëjnë gjithçka që është e mundur që një gjë e tillë të mos ndodhë. Nuk mjafton të thuhet ‘ Ne do të luftojmë kundër terrorizmit dhe do t’i ndihmojmë vendet e rajonit’ e në anën tjetër të bllokojnë çfarëdo procesi që qon në atë drejtim”, ka thënë Bogdanoviq.
Izabela Kisiq nga Këshilli i Helsinkut për të drejta të njeriut, vlerëson që nuk ka njohuri për ndonjë bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në drejtim të luftës kundër terrorizmit, në të cilën është i nevojshëm shkëmbi i in formacioneve.
“Serbia është ajo që po e pengon Kosovën të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së, të cilat kanë rol, të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit. Me bllokimin e Kosovës, ne absolutisht nuk mund të kemi sukses në aktivitetet kundër terrorizmit, gjegjësisht në parandalimin e terrorizmit e para së gjithash parandalimin e shkuarjes së njerëzve në vend-luftime”, theksoi Kisiq.
Denis Haxhoviq, drejtor i Qendrës për studime të sigurisë thotë se Bosnjë e Hercegovina, për shkak të mosmarrëveshjeve politike përbrenda, nuk ka ndonjë bashkëpunim institucional me Kosovën. Kjo sipas tij e vështirëson luftën kundër terrorizmit, i cili është kërcënim global.
“Përfaqësuesit e grupeve të krimit të organizuar dhe ekstremistëve nuk kanë problem që të bashkëpunojnë dhe t’i mbajnë marrëdhëniet e tyre, si dhe të përgatisin aktivitetet e tyre kundër qytetarëve të rajonit. Kjo lidhje, Kosovë, Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë është një gjë mjaft e rëndësishme nga aspekti i bashkëpunimit dhe grumbullimit të të dhënave informative dhe të sigurisë në luftë kundër terrorizmit, por edhe formave tjera të krimit të organizuar".
"Mungesa e përfaqësuesve të Kosovës në takimet zyrtare ku diskutohet për politikat dhe planet që ndërlidhen me luftën kundër terrorizmit, gjithsesi që e shkaktojnë mangësinë në bashkëpunimin rajonal. Kjo paraqet problem”, tha Hoxhoviq.
Që nga viti 2012 rreth 300 shqiptarë të Kosovës i janë bashkuar organizatave të shpallura ndërkombëtarisht si terroriste në Siri dhe Irak. Aktualisht vlerësohet se në konfliktet e huaja po marrin pjesë 70 shqiptarë nga Kosova, ndërkaq rreth 50 janë vrarë.