Ndërlidhjet

Kosova po i zhvillon kapacitetet për luftimin e terrorizmit 


Ilustrim
Ilustrim

Kosova po i zhvillon kapacitetet e nevojshme për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, thonë përfaqësues të institucioneve vendore. Reagimet e tyre pasojnë raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, ku thuhet se rreth 250 nga 300 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për të luftuar për organizatat e shpallura terroriste, IS-in apo Frontin al-Nusra, nga të cilët rreth 50 janë vrarë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar se ekstremizmi dhe radikalizmi fetar po shfaqen edhe në specifika lokale, duke u përpjekur të kërcënohet një nga shtyllat kryesore të identitetit të shqiptarëve si shumicë që ka të bëjë me tolerancën fetare.

“Kjo është një e keqe kërcënuese për të gjithë ne”, ka thënë Mustafa gjatë takimit të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, të mbajtur të premten në Prishtinë.

Në kuadër të angazhimeve konkrete për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit më 12 mars të vitit 2015, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin që ndalon pjesëmarrjen në konfliktet e huaja, i cili hyri në fuqi më 18 prill.

Megjithatë, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit vë në pah se autoritetet përgjegjëse në Kosovë kanë qenë pa përvojë në trajtimin e rasteve të terrorizmit, komunikimit, si dhe shkëmbimit të informacioneve mes agjencive të ndryshme mbeti një sfidë.

Fatos Makolli, drejtori i Departamentit Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova konsiderohet vend me kapacitete të nevojshme për ta trajtuar terrorizmin. Por, sipas tij, në vazhdimësi duhet fuqizuar këto kapacitete.

‘’Kapacitet e mjaftueshme janë çështje relative, pasi që ato në vazhdimësi duhet fuqizuar, bazuar në rrethanat që paraqiten dhe të adaptohen dhe zhvillohen më tutje, me qëllim që t'i përgjigjemi situatave në terren”.

“Por, bazuar në gjendjen e deritanishme, është dëshmuar se ka kapacitete të nevojshme për ta trajtuar këtë fenomen. Qasja dhe puna e suksesshme ndaj këtij fenomeni ka bërë që shumë institucione kredibile ndërkombëtare ta konsiderojnë trajtimin e këtij fenomeni nga Kosova, si lider në Ballkan e më gjerë. Mund të them se Policia e Kosovës ka përfituar njohuri brenda dhe jashtë vendit. Edhe sa u përket kapaciteteve njerëzore dhe logjistike qëndron mirë’’, ka thënë Makolli.

Tutje, Makolli ka shtuar se tashmë janë formuar edhe njësi të caktuara brenda Policisë së Kosovës për luftimin dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Përveç këtyre, së fundmi është bërë edhe njësi e caktuar, si ajo për hetime online dhe njësia për parandalimin e ekstremizmit. Ajo merret me vetëdijesimin e qytetarëve për parandalimin e ekstremizmave të çfarëdo lloji. Çështja e kapaciteteve është proces i vazhdueshëm dhe Policia e Kosovës do të vazhdojë edhe më tutje me avancime’’, ka thënë Makolli.

Në kapacitetet e organeve kompetente për t’u përballur me sfidat e radikalizmit të dhunshëm, ekstremizmit apo edhe terrorizmit, besojnë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Deputetja Ganimete Musliu, anëtare e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova tashmë është e gatshme të përballet me këto sfida, pasi që, sipas saj, është punuar shumë në këtë drejtim.

‘’Ne si Kuvend kemi marrë hapa të nevojshëm për të parandaluar çfarëdo lloji të rrezikut të mundshëm dhe vetë fakti që njëzëri kemi miratuar të gjitha ligjet që parandalojnë dhe dënojnë ata që marrin iniciativa të tilla apo u bashkohen luftërave të huaja, tregon që Kosova është e gatshme të përballet me çdo sfidë të mundshme dhe të jetë vend që garanton siguri për qytetarët e saj”, është shprehur Musliu.

“Ju e dini që terrorizmi është problem global dhe Kosova konsideroj se po i zhvillon kapacitetet e saj që të jetë vend i sigurt’’, ka thënë ajo.

Sidoqoftë, në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit përmendet edhe përmirësimi i aftësisë së Kosovës për të ushtruar autoritetin e saj në veri të vendit, që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ndonëse kjo marrëveshje ende nuk po zbatohet plotësisht nga të dy vendet. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG