Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha të enjten se pret përparim më të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe rezultate “më të prekshme”.
Mustafa, komentet i bëri pas një takimi me ministren e re të drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe me zëvendëskryeminstrin Hajredin Kuci.
Dhurata Hoxha, u propozua nga PDK për postin e ministres së drejtësisë, pas kërkesës së ministrit të deritashëm Kuçi për t’u larguar nga kjo pozitë me të marrë detyrën e zëvendëskryeministrit.
Kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë në fuqizimin e mëtejmë të sektorit të drejtësisë dhe të shtetit ligjor në përgjithësi, thuhet në një kumtesë të zyrës së tij.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor në përgjithësi janë prioritete kryesore të punës së Qeverisë së Kosovës”.
“Kemi arritur rezultate konkrete inkurajuese në këto drejtime kohët e fundit, por Qeveria e Kosovës në bashkëpunim të afërt me institucionet e tjera kushtetuese që merren me rendin dhe ligjin, është e fokusuar që të arrihet progres edhe më i madh në këtë drejtim”, citohet të ketë thënë kryeministri Isa Mustafa.
Kosova është cilësuar në raportet e organizatave ndërkombëtare si vendi me nivelin më të lartë të korrupsionit, ndërkohë që me hapjen e dritës së gjelbër për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Komisioni Evropian ka kërkuar rezultate konkrete, përfshirë dënime të niveleve të larta, në luftën kundër korrupsionit.