Filloi Olimpiada, pjesëmarrëse edhe Kosova

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike në Brazil

Në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Verore në Rio-de-Zhanejro të Brazilit, parakaluan tetë sportistët e Kosovës, që marrin pjesë në lojëra, ndërsa flamurin e Kosovës e barti xhudistja, Majlinda Kelmendi, e cila në Olimpiadën e Londrës, para katër vitesh, mori pjesë në kuadër të kombëtares së Shqipërisë.

Lojërat Olimpike Verore kanë filluar mbrëmë vonë në mënyrë spektakulare, me sportistët e Kosovës që marrin pjesë për të parën herë, me numrin e zvogëluar të sportistëve rusë dhe me femrën e parë që e barti flamurin e Iranit në hapjen solemne.

Majlinda Kelmendi, e cila bartte flamurin e Kosovës, është kampione botërore në vitin 2013, në xhudo për femra, në kategorinë deri në 52 kilogram. Agjencia Associated Press ka parashikuar se ajo do ta fitojë edhe medaljen e artë në lojërat e Rios.

“Ky është një moment special, veçanërisht për gjeneratën më të vjetër në Kosovë”, tha Majlinda Kelmendi, dhe ka shtuar se “ata u kanë mbijetuar luftërave, ata kanë kaluar nëpër kohë aq të vështira dhe kjo që po ndodhë tash ishte një ëndërr për gjithë popullin e Kosovës për një kohë të gjatë”.

Në këtë ceremoni, që u zhvillua në stadiumin Marakana në Rio, u simbolizua historia e Brazilit dhe bukuria natyrore e këtij vendi, derisa maratonisti brazilian, Vanderlei de Lima, e ndezi dritën olimpike.

Disa shikues, që kanë marrë pjesë në hapjen solemne të Lojërave Verore Olimpike në stadiumin Marakana, janë shprehur të entuziazmuar.

“Mendoj se është e jashtëzakonshme. Kam qenë në shumë vende të ndryshme. Isha në ndeshjet e futbollit në Evropë dhe në Amerikën Jugore. Por, show të cilin ata e paraqitën ishte i jashtëzakonshëm”, i tha agjencisë Reuters, shtetasi amerikan, Clayton Atchison.

Nga ana tjetër, edhe shikuesi vendës, Rodrigo Damesano, nuk e ka fshehur gëzimin e tij.

“Atmosfera ishte e mrekullueshme: samba, rep dhe qytetet e mëdha siç janë Sao Paolo dhe Rio. Çdo gjë ishte e mrekullueshme dhe e nivelit shumë të lartë. I gjithë Brazili është përfaqësuar. Me të vërtetë ishte mahnitëse”, tha shikuesi Damesano.

Kjo Olimpiadë, që është e para që organizohet në Amerikën Jugore, do të zgjasë deri më 21 gusht.

Garat zhvillohen në 28 degë sportive, ndërsa marrin pjesë afro 10,500 sportistë nga 206 shtete dhe një ekip i refugjatëve.

Periudha përgatitore për Olimpiadë ishte nën hije të skandalit të dopingut në Rusi, përhapja e virusit Zika dhe çështjet lidhur me infrastrukturën dhe sigurinë e qytetit.

Por, organizatorët shpresojnë se tash fokusi do të jetë në garat në disiplinat e shumta sportive.

Ekipi i Rusisë është pritur me duartrokitje dhe pak fishkëllima nga shikuesit kryesisht brazilianë, kur kontigjenti prej 160 sportistëve dhe zyrtarëve të Rusisë, parakaluan gjatë ceremonisë së hapjes, ndërsa u printe volejbollisti i njohur, Sergei Tetyukhin.

“Gjatë dy muajve të kaluar me siguri se sportistët ishin të prekur” nga zhvillimet dhe “ishte një situatë e vështirë”, tha Tetyukhin.

“Ne ishim të gatshëm për më të keqen, pas i gjithë ekipi i Rusisë ka mundur të mos lejohet të merr pjesë, por ka pasur njerëz të arsyeshëm që morën vendime të drejta”, ka thënë ky sportist i njohur rus, dhe ka shtuar se “është e qartë se ekziston problemi i dopingut, por atletët e pastër nuk duhet të vuajnë nga kjo”.

Sa i përket Rusisë, pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar lejoi një ditë më parë 271 sportistë rusë të marrin pjesë në këtë garë prestigjioze, pavarësisht provave që lidheshin me dopingun, edhe tetë sportistëve të tjerë iu lejua pjesëmarrja, pas ankesave të tyre në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport.

Ekipi rus u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga turma braziliane, kur kontigjenti prej 160 sportistëve dhe zyrtarëve marshuan në ceremoninë e hapjes në stadiumin Maracana të Rios, të udhëhequr nga kampioni në volejboll, Sergei Tetyukhin.

Ata që u pranuan në Lojëra në minutat e fundit ishin katër notarë rusë: Natalya Lovtsova, Darya Ustinova, Mikhail Dovganyuk, dhe Anastasia Krapivina, pastaj lundërtari rus, Pavel Sozykin dhe çiklisti Sergei Shilov, Ilnur Zakarin, dhe Olga Zabelinskaya. Por, atyre që iu ndalua pjesëmarrja në këto lojëra, dhe të cilëve iu refuzua apeli ndaj akuzave për doping ishin çiklistët Kiril Sveshnikov, Dmitry Sokolov dhe Dmitry Strakhov.

Gjykata e Arbitrazhit tha se që nga 26 korriku është duke u marrë me 23 raste të ankesave, por ende nuk ka marrë vendime për tri raste tjera të sportistëve rusë: Viktor Lebedev, Natalia Podolskaya dhe Aleksandr Dyachenko.

Nga ana tjetër, Irani ishte në qendër të vëmendjes në ditën e parë të këtyre lojërave, duke e vendosur një femër sportiste, shigjetaren Zahra Namati, për ta bartur flamurin në ceremoninë e hapjes së Lojërave.

Ky është një ndryshim për Iranin, ku zbatohet në mënyrë strike Islami dhe ku tifozeve femra tradicionalisht i është ndaluar pjesëmarrja në ngjarjet sportive ku garojnë vetëm meshkujt.

Nemati, e cila ishte paralizuar kur ishte adoleshente në një aksident rrugor, u paraqit me një karrocë për personat me aftësi të kufizuara dhe e kishte vendosur në kokë një shami me ngjyrë të gjelbër.

Ajo do të garojë për Iranin, si në Lojërat Olimpike, e po ashtu edhe në Lojërat Paraolimpike, që mbahen muajin e ardhshëm.

Sikur Kosova, edhe Sudani Jugor për të parën herë mori pjesë në ceremoninë e hapjes. Ky vend përfaqësohet me tre sportistë. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi