Koreja e Veriut ka lëshuar pa sukses një raketë me rreze të ndërmjetme veprimi, tha ushtria e Koresë së Jugut.
Kjo është prova e dytë e dështuar në më pak se një javë.
Pak ditë më parë, Veriu ka lëshuar po ashtu pa sukses një raketë Musudan, e cila thuhet se ka rreze prej 4,000 kilometrash.
Sipas Phenjanit, ajo mund të godasë bazat e Shteteve të Bashkuara.
Koreja e Veriut ka testuar tetë herë raketën e tillë këtë vit, por vetëm një herë me sukses.
Megjithatë, ekspertët druajnë se ajo mund të bëhet operacionale vitin e ardhshëm.
Shtetet e Bashkuara kanë dënuar lansimin, duke e cilësuar si “provokim të mëtejshëm”.