Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se vendit dhe qytetarëve po u kushton shumë shtrenjtë ngecja në ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kuirit me Malin e Zi. Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë një ligjërate para studentëve të Universitetit “Kadri Zeka”, në Gjilan.
“Ngecja në demarkacion, po u kushton shumë qytetarëve të Kosovës, sepse ata po mbesin të izoluar dhe në pamundësi që të lëvizin të lirë sikurse qytetarët tjerë”, ka thënë Mustafa.
“Kjo ngecje i kushton sovranitetit të vendit, sepse nuk mund ta konsiderojmë vendin tonë plotësisht sovran në qoftë se nuk i ka kufijtë ndërkombëtar me vendet fqinjë”, theksoi tutje ai.
Kufijtë administrativë që i kishte Kosova në kohën e ish-Jugosllavisë, sipas kryeministrit Mustafa, tani duhet të shndërrohen në kufij ndërkombëtar.
Përderisa më Shqipërinë dhe Maqedoninë ai tha se nuk ka asnjë problem dhe çështja është rregulluar, problem mbetet vetëm shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi dhe me Serbinë.
“Tani ka mbetur vetëm vija kufitare me Malin e Zi, që duhet të ratifikohet dhe të vazhdohet tutje me Serbinë. Por, tash kriter e kemi demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Mustafa.
Sipas tij, qeveria po punon që ta zgjidhet çështja e ngecur e demarkacionit.
“Ka vërejtje, por ato më shumë ndërlidhen me historinë, me të kaluarën dhe nuk ndërlidhen me momentin kur është shpallë pavarësia e Kosovës dhe mbi territorin në të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Në funksion të gjetjes së një zgjidhje për çështjen e demarkacionit, Mustafa ka dalë me idenë që të matet territori i Kosovës për të parë nëse marrëveshja me Malin e Zi i ka shkaktuar humbje të territorit Kosovës, siç po pretendojnë opozita dhe një numër i deputetëve nga partitë në pushtet.
Por, kjo ide, nuk është mbështetur nga tabori opozitar.
Po ashtu, Mustafa ka takuar të dielën edhe homologun e tij nga Mali i Zi, Dushko Markoviq në Shkodër të Shqipërisë, por nga ai takim nuk janë dhënë detaje se çka është biseduar në lidhje me shënjimin e vijës kufitare.