Kryetari i partisë shqiptare, BDI-së, Ali Ahmeti, të shtunën zhvilloi një takim me disa nga liderët e partive politike shqiptare që fituan mandate në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, për të bashkërenduar veprimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni.
Ftesës së Ali Ahmetit i janë përgjigjur tri partitë që garuan bashkërisht në zgjedhjet e 11 dhjetorit si koalicion “Aleanca për shqiptarët”, përkatësisht Zijadin Sela nga Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare, Vesel Memedi nga Rilindja Demokratike Kombëtare, dhe Gëzim Ostreni nga partia Uniteti.
Ndërkohë në takim nuk ishin përfaqësues të Lëvizjas Besa, duke njoftuar se nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga Ahmeti, nën arsyetimin se takimi është ftuar nga dikush që përmendet nga Prokuroria Speciale Publike dhe ata të cilët dyshohen për rastin “Magjar Telekom”.
“Duke mos harruar në asnjë moment se jo më larg se javën e kaluar Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike Shqiptare – si anëtarë të KSHZ-së,edhe një herë i shërbyen VMRO DPMNE-së, duke ia zvogëluar numrin për një deputet shqiptar koalicionit ‘Rilindje me BESË’ dhe duke ia dhuruar Gruevskit. Prandaj, koalicioni ‘Rilindje me Besë’, ka vendosur ta respektojë vullnetin e votuesve të tij dhe mos të marrë pjesë në takimin që e ka ftuar kryetari i BDI-së “, thuhet në komunikatën për medie të Lëvizjes Besa.
Në takim nuk është paraqitur edhe asnjë përfaqësues nga PDSH-ja pas dorëheqjes së paraqitur nga lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, për të drejtuar partinë.
Pas përfundimit të takimit që zgjati më shumë se dy orë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk ka treguar shumë detaje për pikat, për të cilat është diskutuar. Ai theksoi se dallimet mes këtyre subjekteve politike janë më të vogla se sa çështjet që i bashkojnë.
“Dallimet mes nesh janë shumë më të vogla sesa çështjet e mëdha që na bashkojnë që ne si shqiptarë, të dalim me një zë për çështjet që kanë të bëjnë me të gjithë qytetarët shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, pa dallim se cilës parti i takojnë, sepse gjërat që kanë të bëjnë me shqiptarët, janë shumë të përbashkëta”, ka theksuar Ahmeti.
Ai ka shtuar se të gjitha çështjet që janë me interes për shqiptarët e Maqedonisë do të shtrohen në letër për t`u nënshkruar nga liderët politikë që më pas kjo të paraqesë një dokument për të biseduar me palën maqedonase. Me gjithë insistimin e gazetarëve, Ahmeti nuk ka treguar se cilat pika apo kërkesa do të inkorporohen në këtë dokument.
“Tani unë këtu nuk dua të shpalos diskutimet, të cilat ne i kemi bërë, po në momentin e duhur, opinioni do të informohet në detaje, sepse ne nuk jemi takuar fshehurazi, e as bëjmë organizimin kundër ndonjë partie politike, qoftë ajo shqiptare, apo maqedonase. Ne jemi ulur për të bërë mirë për vendin dhe për të dalë nga kjo situatë, në të cilën ndodhet aktualisht Maqedonia”, është shprehur Ahmeti.
Ndërkaq, lideri i Lëvizjes për Reforma, Zijadin Sela, ka thënë se takimi i së shtunës është me një interes të veçantë për politikë-bërjen e ardhshme shqiptare.
“Ne këtu jemi për të bashkuar veprimin politik dhe jo subjektet politike, sepse në zgjedhjet e ardhshme ne sigurisht do të jemi kundërshtarë politikë mes nesh , me zotin Ahmeti, por në këtë fazë ne vlerësojmë se duhet të kemi qëndrime të përbashkëta, në mënyrë që të ndjejë presionin blloku tjetër politik (ai maqedonas).Kjo bëhet ashtu që njëherë e përgjithmonë të zgjidhen interesat e tyre(shqiptarëve) që ne i përfaqësojmë”.
“Çdo herë e kemi thënë se nuk jemi kundër dikujt, po jemi për të sjellë të drejta për shqiptarët e Maqedonisë. Dhe, shpresoj që radhën tjetër të marrin pjesë të gjitha subjektet politike shqiptare, sepse kemi shumë gjëra të përbashkëta në platformat tona politike, po njëherësh kemi dhe përgjegjësi ndaj atyre që na kanë votuar”, theksoi Sela.
Përfaqësuesit e partive politike shqiptare, megjithatë nuk kanë bërë të ditur se me cilin nga subjektet politike maqedonase do të ulen për të biseduar rreth kërkesave që do t’i harmonizojnë në një memorandum të përbashkët.(REL)