Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takoi në Uashington këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Bolton.
“U pajtuam se ekziston një shans historik në dialog (v.j. midis Kosovës dhe Serbisë) i cili nuk duhet të humbet nga dy shtetet. Kjo i mundëson Kosovës anëtarësimin në NATO, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian”, shkroi Thaçi në Twitter.
Ai po ashtu tha se e ka falënderuar Boltonin për “mbështetjen e plotë që Kosova ka hasur në këtë administratë”.
Just had good meeting at the @WhiteHouse with @AmbJohnBolton. Thanked him for the full support #Kosovo has met under this administration. We agreed there’s a historic chance in dialogue that should not be missed for both countries. This enables #Kosovo’s @NATO, UN, EU membership.
— Hashim Thaçi (@HashimThaciRKS) November 27, 2018
Në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca e Kosovës thuhet se në këtë takim "është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, për perspektivën euroatlantike dhe për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon".
Bolton, thuhet në komunikatë, e ka siguruar presidentin e Kosovës se Shtëpia e Bardhë dhe administrata e presidentit Donald Trump e mbështesin fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bolton ka deklaruar më herët se SHBA nuk e përjashton idenë e korrigjimeve territoriale, nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për një gjë të tillë.
Ideja për ndryshim kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë është shpalosur nga vetë presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e problemeve midis tyre.
Gjatë qëndrimit në SHBA, Thaçi takoi edhe sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, nga i cili tha se ka marrë mbështetjen për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.