Rusia tha se u ka lejuar Shteteve të Bashkuara qasje konsullore te shtetasi amerikan, Paul Whelan, i cili është arrestuar të premten në Moskë, nën dyshimet për spiunim.
Ministria e Jashtme ruse tha se zyrtarët konsullorë janë lejuar të shohin Whelan të mërkurën pasdite.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dalë ende me komente.
Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se do që të dijë më shumë për akuzat me të cilat përballet Whelan.
"Nëse paraburgimi i tij nuk është i përshtatshëm, ne do të kërkojmë kthimin e tij të menjëhershëm", ka thënë Pompeo.
Rusia thotë se Whelan është "kapur duke spiunuar në Moskë", por familja e tij thotë se ai ka qenë në Rusi për të marrë pjesë në një dasmë.
Whelan mund të përballet me 10 deri në 20 vjet burgim nëse gjykohet në Rusi dhe gjendet fajtor për spiunim.