Opozita në Serbi bojkoton Parlamentin

Protestat antiqeveritare në Beograd, 9 shkurt 2019.

Partitë opozitare në Serbi thanë se kanë nisur të bojkotojnë Parlamentin, në shenjë solidariteti me valën e protestave kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Aleanca për Serbinë, grup i partive opozitare, tha të hënën se ligjvënësit e saj nuk do të marrin pjesë në seancat parlamentare derisa kërkesat e protestuesve nuk përmbushen dhe "derisa nuk krijohen kushte për zgjedhje të lira dhe të drejta".

Në Beograd dhe qytete të tjera, çdo të shtunë, mijëra njerëz protestojnë kundër pushtetit.

Protestat kanë nisur qysh në muajin dhjetor.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Vuçiqit dhe zgjedhje të parakohshme, duke e akuzuar presidentin për ngufatje të lirive demokratike, shtypje të kundërshtarëve politikë dhe kontrollim të medias.

Your browser doesn’t support HTML5

Presion mbi Vuçiqin

Vuçiq i ka mohuar akuzat dhe i ka refuzuar thirrjet e protestuesve.

"Ne nuk duam të jemi pjesë e një demokracie fasadë dhe t'i sigurojmë legjitimitet një regjimi totalitar që shtyp çdo kundërshtar dhe i trajton rivalët politikë si armiq të shtetit", tha përmes një deklarate Aleanca për Serbinë.

Bojkotimi nuk pritet të pengojë punën e legjislaturës, ku partia qeverisëse e Vuçiqit (Partia Përparimtare Serbe) dhe aleatët e saj socialistë i kanë 160 nga 250 vendet.