Viktimat në Kristçërç nderohen me ceremoni kombëtare

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern.

Në Kristçërç të Zelandës së Re është mbajtur një ceremoni përkujtimore, në nderim të 50 viktimave të sulmit terrorist që ka ndodhur më 15 mars.

Kryeministrja e këtij vendi, Jacinda Ardern ka folur në organizimin e transmetuar edhe në media, bashkë me liderët islamikë dhe të mbijetuarit e sulmit.

Cat Stevens, këngëtari britanik që është konvertuar në fenë islame në vitet 1970, ka kënduar në këtë ceremoni.

Pjesë e këtij organizimi kanë qenë rreth 20,000 persona, i cili është mbajtur në Parkun Hagley.

Duke folur para pjesëmarrësve, Ardern ka thënë se Zelanda e Re ka “përgjegjësi për t’u bërë vendi që ne dëshirojmë të jetë”.

“Ne nuk jemi imunë nga virusi i urrejtjes, apo frikës. Kurrë nuk kemi qenë. Mrëpo ne mund të kthehemi në kombin që zbulon shërimin”, ka thënë ajo.

Në sulmin e 15 marsit kanë vdekur 50 persona, pasi një sulmues, i vetëquajtur supremacist i bardhë ka sulmuar dy xhami në Kristçërç dhe ka transmetuar aktin e tij drejtpërdrejt në rrjetin social Facebook.

Pas këtij sulmi, Zelanda e Re ka ndryshuar Ligjin për armët.