Presidenti rus, Vladimir Putin ka caktuar 1 korrikun si datë kur rusët do të votojnë për ndryshimet kushtetuese, që i mundësojnë atij qëndrimin në pushtet deri më 2036.
Putin ka marrë këtë vendim, në një takim me pjesëtarët e ekipit që kanë hartuar projektligjin.
Ella Pamfilova, kryetare e Komitetit Qendror Zgjedhor, ka thënë se mbështet idenë, duke shtuar se votimi do të nisë shtatë ditë përpara datës zyrtare, në mënyrë që të anashkalohen turmat e mëdha të njerëzve.
Pamfilova po ashtu ka thënë se në dy apo tre rajone do të shfrytëzohet sistemi elektronik i votimit, ndonëse nuk ka përmendur cilat do të jetë ato.
Ky projektligj, me ndryshime kushtetuese, është miratuar nga ligjvënësit dhe Gjykata Kushtetuese në muajin mars.
Ky dokument ishte planifikuar të vendosej në referendum kombëtar më 22 prill, mirëpo për shkak të pandemisë me koronavirurs, votimet janë shtyrë.
Kritikët e Putinit kanë thënë se ai ka marrë iniciativë për këto ndryshime, me qëllim të rritjes së pushtetit edhe për 12 vjet vjet, pasi t’i përfundojë mandati aktual më 2024.
Ky vendim ka nxitur protesta në disa qytete e qyteza ruse.
Mandati aktual i Putinit, i dyti më radhë, ka nisur më 2018.
Kushtetuta aktuale ruse u ndalon presidentëve që të udhëheqin për më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme, mirëpo ndryshimet e reja do t’i mundësojnë atij të garojë për një mandat të pestë në karrierën e tij, më 2024.
Miratimi final i ndryshimeve mund të ndodhë nëse më shumë se gjysma e banorëve i mbështesin ato në votime.
Putin, 67-vjeçar, ish-zyrtar i KGB-së, ka udhëhequr Rusinë, si president apo kryeministër, për më shumë se 20 vjet.