Amazon siguron leje për dërgesa përmes dronëve në SHBA

Ilustrim.

Gjiganti amerikan i shitjeve online, Amazon, ka siguruar miratimin nga rregullatori kombëtar i aviacionit për nisje të dërgesave përmes dronëve në Shtetet e Bashkuara.

Kjo kompani me bazë në Sietëll ka thënë se miratimin e ka pranuar përgjatë fundjavës nga Aministrata Federale e Aviacionit.

Certifikimi e dërgon kompaninë më afër qëllimit “të shërbimit autonom përmes dronëve, të cilët një ditë do të bartin dërgesat te konsumatorët tanë në gjithë botën”, ka thënë David Carbon, zëvendës-president i Prime Air, që funksionon në kuadër të kompanisë Amazon.

Carbon ka thënë se qëllimi i kompanisë në të ardhmen është që të jetë në gjendje të ofrojë dërgesa në afat prej 30 minutave.

Amazon ka thënë se ky miratim është “hap i rëndësishëm”, mirëpo ka shtuar se ende duhet në fazën e testimit të dronëve.

Gjiganti tjetër për dërgesa, UPS, në fund të vitit të kaluar ka siguruar miratimin e rregullatorit amerikan për të nisur shërbimin ajror përmes dronëve, dhe tani synon të zgjerojë operacionet edhe në sektorin e shëndetësisë dhe sektorë tjerë.

Një numër kompanish, sikurse kompania simotër e gjigantit Google, Alpabet, janë duke punuar në shërbimin e dërgesave përmes dronëve.

Amazon nuk ka thënë ende se kur pret të përdorë dronët për dërgesa te konsumatorët.

Në dhjetor të vitit 2013, shefi dhe themeluesi i kompanisë Amazon, Jeff Bezos, pati thënë në një intervistë televizive se dronët do të shkojnë nëpër shtëpitë e konsumatorëve brenda pesë vjetëve.