Mësimi online në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet me probleme të shumta në veçanti të natyrës teknike, për shkak të mungesës së rrjetit të internetit në shumë shkolla, sidomos në ato periferike, ndërkohë që në qendrat urbane ka ngarkesë të rrjetit që çon edhe në ndërprerjen e mësimit.
Mësimi nga shtëpia ka nisur më 1 tetor ndërsa po zhvillohet përmes një platforma unike të krijuar nga Ministria e Arsimit. Mësimdhënësit janë të obliguar që mësimin ta zhvillojnë me prani fizike në shkolla, ndërsa nxënësit e ndjekin nga shtëpia, përmes pajisjeve të ndryshme të komunikimit elektronik. Mësimi ka nisur në këtë formë për të evituar përhapjen e koronavirusit, pavarësisht reagimeve e protestave të shumta të nxënësve e prindërve të tyre, që nxënësit të zhvillojnë procesin mësimor nga objektet shkollore.
“Me mësimin online nuk është mirë, kemi problem me platformën, kemi rënie të internetit. Më mirë do të ishte të bëjmë mësim me prani fizike në shkollë, më shumë se gjysma e klasës është për kthim në shkollë, pasi me mësimin online më shumë po humbin, ndërsa ne jemi drejtimi i mjekësisë dhe nesër nga ne presin njerëzit të shpëtojmë, por kemi mbetur askund”, thotë Fjolla Nuredini, nxënëse e një shkolle të mesme në Shkup.
“Disa nga fëmijët diçka kuptojnë e disa aspak pasi kanë nuk kanë kushtet e duhura, kurse ka edhe probleme të shumta me rrjetin e internetit. E kuptojmë se gjendja është e vështirë me pandeminë, por duhej të gjendej një zgjidhje që fëmijët të kthehen në shkolla apo të paktën të ketë mësim të kombinuar, pasi nëse kështu vazhdon do të ketë pasoja të rënda për fëmijët, do të humbin shumë”, thotë Silvana Petkovska, nënë e dy fëmijëve që ndjekin mësimin online.
Edhe sindikata e arsimit flet për probleme të shumta në zhvillimin e mësimit online.
“Një pjesë e problemeve ende nuk janë kapërcyer dhe problemi kryesor mbetet me internetin që ende nuk është stabil. Në shumë shkolla ka probleme me rrjetin, në disa tjera nuk ka fare internet. Por, përveç nga Ministria e Arsimit, problemi qëndron edhe te komunat të cilat shumë më herët duhej të përgatiteshin për këtë formë të mësimit. Shkollat fillore janë nën kompetencë të tyre dhe komunat duhej të angazhoheshin për instalimin e rrjetit të internetit nëpër ato shkolla ku nuk ka, apo të forcojnë rrjetin në shkollat ku nuk ka rrjet funksional. Nuk amnistoj as Ministrinë e cila me kohë duhet të trajnonte mësuesit, duhej shumë më herët të përgatiste platformën e kështu me radhë”, thotë Jakim Nedellkov, kryetari i Sindikatës së arsimit.
Por, ndryshe nga nxënësit dhe sindikata, Ministria e Arsimit e Maqedonisë së Veriut vlerëson se mësimi online po zhvillohet pa probleme të theksuara. Ministrja Milla Carovska, thotë se në 87 për qind të shkollave po zhvillohet mësimi online, ndërsa në të tjerat ka probleme të herëpashershme që beson se do të kapërcehen me ndihmën e Ministrisë dhe të pushtetit lokal.
SHIKONI EDHE: Nis viti shkollor në Maqedoninë e Veriut, kundërshtohet mësimi onlineAjo thotë se kthimi në shkolla i nxënësve do të ndodhë vetëm kur të jenë krijuar kushtet në aspektin epidemiologjik.
“Të gjithë ne jemi përgjegjës për shëndetin, jo vetëm të fëmijëve tanë, por edhe për shëndetin tonë personal si dhe për shëndetin e gjithë popullatës. Ne po shohim se gjendja epidemiologjike po ndryshon nga dita në ditë, prandaj nuk duhet të rrezikojmë jetën e askujt. Unë kërkoj mirëkuptim nëse në ndonjë shkollë paraqiten probleme, pasi institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për kapërcimin e problemeve”, thotë ministrja e Arsimit, Milla Carovska.
Për dallim nga arsimi fillor dhe i mesëm, mësimi në arsimin e lartë po zhvillohet pa probleme, meqë në shumë prej fakulteteve, edhe më parë ligjëratat ndiqeshin nga distanca.
Ditët e fundit, Maqedonia e Veriut ka shënuar numër të lartë të rasteve të reja me koronavirus. Sipas të dhënave, më 16 tetor, në këtë shtet, brenda një dite u shënuan 438 raste të reja me koronavirus dhe gjashtë viktima.
Që prej fillimit të pandemisë e deri më 16 tetor, në Maqedoni të Veriut janë regjistruar 22,607 raste me koronavirus, prej të cilëve 821 pacientë kanë vdekur dhe 16,949 janë shëruar.