Ndërlidhjet

Pakënaqësi rreth skenarëve për fillimin e vitit të ri shkollor në Maqedoninë e V.


Ilustrim

Viti shkollor në Maqedoninë e Veriut në bazë të vendimit të qeverisë shtyhet për një muaj, përkatësisht do të fillojë më 1 tetor.

Autoritetet e vendit kanë theksuar se për shkak të koronavirusit, fizikisht në klasë do të jenë vetëm nxënësit e klasës së parë, dytë dhe tretë, përderisa nxënësit nga klasa e katërt deri në vitin e katërt të gjimnazit, mësimin do ta ndjekin në distancë, ndërsa si opsion mbeten edhe nxënësit e klasës së gjashtë dhe vitit të parë të shkollave të mesme që mësimin ta ndjekin nga klasat e shkollave.

Por, gjimnazistët janë shprehur të prerë se nëse nuk ndryshohet ky vendim, në vend se të jenë online ata do të jenë offline.

Nga shtatori mësim online në Maqedoninë e Veriut

Nxënësit e shkollave të mesme të anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se praktika ka dëshmuar se mësimi në distancë dështoi në shumë aspekte, siç është mungesa e një platforme të unifikuar për të gjitha shkollat, stresi që krijon mësimi në distancë, mungesa e pajisjeve elektronike për një pjesë të madhe të nxënësve, higjiena në shkolla, sigurimi i kushteve për realizimin e orëve praktike në drejtimet profesionale dhe problemet që kanë pasur mësimdhënësit gjatë shpjegimit të mësimeve si rrjedhojë e mosdeponimit të aftësive teknologjike.

“Kemi dëshmi se mësimi I kombinuar është i mundur nga shtetet e tjera. Unë preferoj që mësimi të bëhet sipas modelit të kombinuar i cili model është mjaft i sigurt për nxënësit dhe nuk e vë në rrezik jetën e nxënësve dhe në të njëjtën kohë mundëson rezultate të mira nga mësimet që i mer”.

“Mund të jap një shembull se si e shohim ne mësimin sipas modelit të kombinuar, nëse një klasë ka 20 nxënës atëherë ajo klasë mund të ndahet në dy grupe dhe një grup të ndjek mësimet nga klasa me prezencë fizike dhe tjetra online dhe ditën tjetër të bëhet rotacion”, thotë Leutrim Billalli, nxënës i gjimnazit të Gostivarit.

Ai njëherësh thekson se autoritet e vendit duhet të dëgjojnë zërin e gjimnazistëve në hartimin e politikave për të rinjtë veçanërisht kur bëhet fjalë për procesin arsimor.

“Ne jemi ata që qëndrojmë në klasë nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 13:00 dhe në fund të vijë një njeri i cili nuk është prezent dhe të të tregojë ty se çka të nevojitet, me të vërtetë nuk është e logjikshme de qëndrimi ynë si organizatë, Union I Nxënësve të Shkollave të Mesme, është që zëri i të rinjve të jetë i vlefshëm dhe të dëgjohet me relevancë në institucionet e shtetit”, thotë Leutrim Billalli, nxënës i shkollës së mesme.

Ndërkaq, Sara Shaqiri, nxënëse e shkollës së mesme në Strugë, thotë se autoritetet arsimore duhet të bashkëpunojnë me nxënësit gjatë marrjes së vendimeve për sa i përket zhvillimit të mësimit, për faktin se të rinjtë janë shumë më kreativ dhe arrijnë të gjejnë zgjidhje edhe në situata të komplikuara dhe serioze siç është kriza që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

“Të rinjtë janë më kreativ dhe jo rrallë kanë dëshmuar se mund të gjejnë një mënyrë më të lehtë dhe më të thjeshtë për sa u përket zgjedhjes së problemeve”, thotë ajo.

Përderisa Kalina Kacarovska nga gjimnazi i Shkupit Josip Broz Tito, thotë se mësimi në distancë u dëshmua si zgjidhje joadekuate, andaj siç thekson ajo, autoritetet e vendit duhet të angazhohen me çdo kusht për sigurimin e kushteve të organizimit të procesit mësimor në mënyrë të kombinuar, disa ditë në shkollë dhe disa ditë mësim në distancë

“Përmes prezencës fizike, qoftë edhe vetëm për dy ditë në javë nxënësit duke pasur mundësi të realizojnë komunikim të drejtpërdrejtë me mësimdhënësit mund të arrijnë tek materialet e nevojshme për procesin arsimorë por njëherësh edhe të shprehin shqetësimet nëse për njësi të caktuara kanë vështirësi gjatë nxënies së mësimeve”, thotë Kalina Kacarovska.

Në Maqedoninë e Veriut bie numri i nxënësve, por rritet ai i mësimdhënësve

Ajo shton se mësimi në distancë ka nxjerrë në pah veçanërisht pabarazinë sociale me këtë një pjesë e nxënësve mbeten jashtë procesit edukativo-arsimor, si rrjedhojë e mungesës së pajiseve elektronike dhe internetit.

Ndërkaq, Leona Simeonova nga shkolla e mesme NOVA në Shkup, thotë se vakumi që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit në procesin arsimor të gjimnazistëve do të reflektohet edhe gjatë viteve të mëvonshme.

Ajo shton se mësimi në distancë në masë të madhe ndikon dhe në karakterin e vetë nxënësve që është pjesë e procesit edukativo-arsimor.

“Komunat dhe dikasteri i arsimit nuk realizojnë mjaftueshëm diskutime me të rinjtë për sa i përket arsimit në kushte që ka imponuar koronavirusi, që në mënyrë kualitative që ata vlerësojnë se duhet të rrjedh procesi arsimor në kushtet dhe rrethanat që ka imponuar koronavirusi”, thotë ajo.

Leona thotë se plan-programi mësimor është i hartuar në atë mënyrë që kërkon komunikimin e drejtpërdrejtë nxënës-mësimdhënës.

“Në bazë të disa anketave dhe hulumtimeve që kemi bërë, stresi tek nxënësit gjatë mësimit online është shumë më i madh sesa gjatë mësimit në klasë me prezencë fizike. Edhe kundrejt asaj se nxënësit mund të duket se janë në shtëpi në kushte më komforte, stresi, mungesa e koncentrimit, bën që nxënësit të mos arrijnë rezultatet e pritura“, thotë Leona.

Nga ana tjetër Naser Veliu nga kolegji privat Jahja Kemal, vlerëson se varësisht nga gjendja epidemiologjike, në komuna të caktuara duhet të vendoset se në cilën formë do të zhvillohet mësimi,

Ai shton se ka më shumë komuna ku numri i nxënësve është shumë i vogël dhe ka kushte reale që mësimi të zhvillohet me prezencë fizike, ndërkohë që në qytetet më të mëdha, autoritetet e arsimit duhet të angazhohen për sigurimin e kushteve që mësimi të zhvillohet sipas modelit të kombinuar, ku në ditë të caktuara mësimi do të jetë në distancë dhe në ditë të caktuara me prezencë fizike.

“Ne si Union i Nxënësve të shkollave të mesme, mbetemi në qëndrimin për mësim të kombinuar dhe mendojmë se kjo është e mundur për t’u realizuar përmes decentralizimit të arsimit, ku varësisht nga gjendja e komunave përkatësisht statistikat për sa i përket të infektuarve me koronavirusin, të merret vendim rreth asaj se a mund të vazhdohet me mësim të kombinuar ose jo”, thotë Veliu.

Nxënësit e shkollave të mesme edhe një herë kanë përsëritur qëndrimin e tyre se autoritetet e vendit duhet të dëgjojnë zërin e të rinjve në të kundërtën do të bojkotojnë mësimin, duke paralajmëruar protesta për të hënën më 31 shtator pavarësisht se qeveria ka shtyrë fillimin e vitit shkollorë.

Të dhënat e prezantuara nga Avokati i Popullit kanë nxjerrë në pah se 68 për qind e nxënësve të shkollave të mesme nuk kanë ndjekur mësimin online nga muaji mars deri në fund të vitit shkollor.

Në bazë të raportit që ka publikuar Zyra e Avokatit të Popullit, 61 përqind e shkollave të mesme në Maqedoninë e Veriut janë shprehur se nuk kanë mundësi teknike për realizimin e mësimit përmes internetit.

Ndërkohë që autoritetet e qeverisë kanë theksuar se kërkesë për të realizuar procesin mësimor me prani fizike të nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme mund të bëjnë vetëm ato shkolla ku numri i nxënësve nuk tejkalon 20-shin dhe njëherësh ka kushte për mbajtjen e distancës.

XS
SM
MD
LG