Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader është dënuar me tetë vjet burgim, pasi është gjetur fajtor për krijimin e fondeve për partinë e tij konservatore HDZ, duke marrë para nga kompanitë publike përmes një agjencie të marketingut.
Sanader ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për korrupsion dhe pritet që ta apelojë këtë vendim të gjykatës.
Ky ishte një rigjykim i një rasti të mëhershëm, ku Sanader ishte dënuar me nëntë vjet burgim më 2013, por vendimi ishte anuluar nga Gjykata Supreme, për shkak se ishin gjetur shkelje procedurale.
Sanader, 67 vjeç, ka qenë kryeministër i Kroacisë më 2003 deri më 2009, kur dhe u largua nga ky post pa dhënë asnjë shpjegim.
Në rigjykim, gjykatësi tha se Sanader kishte organizuar një grup të njerëzve për të kryer aktivitete kriminale dhe për të mbuluar marrëveshjet joligjore financiare, ka raportuar media shtetërore kroate.
Partia e tij, HDZ, që aktualisht është në pushtet, është gjobitur me afro 550,000 dollarë dhe është urdhëruar nga gjykata që të kthejë 2,1 milionë dollarë fonde, të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Sanader po ashtu po vuan një dënim tjetër, pasi më 2008 ishte dënuar për ryshfet, pasi kishte ndërmjetësuar që një ndërtesë që i përkiste një bashkëpartiaku të tij, t’i shitej një ministrie, me çmim më të lartë se çmimi i tregut.
Ai po ashtu është dënuar për pranim të ryshfetit nga kompania hungareze e naftës MOL më 2008, në këmbim që ta lejojë këtë kompani të bëhej aksionare kryesore e kompanisë kroate të energjisë INA.
Në të dyja rastet për ryshfet, Sanader ka hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe për këto raste i është drejtuar Gjykatës së Apelit.