Vriten dy gjyqtare në Kabul

Një zyrtar policor në Kabul. Fotografi ilustruese.

Zyrtarët afganë thonë se një sulmues i armatosur ka vrarë dy gjyqtare në Kabul.

Ky është sulmi i fundit në një seri vrasjesh që po ndodhin në mbarë Afganistanin. Shumica e personave që po shënjestrohen janë civilë, gazetarë, aktivistë për të drejtat e njeriut, liderë fetarë dhe gra që mbajnë poste publike.

Ahmad Fahim Qaweem, zëdhënës në Gjykatën Supreme, tha se dy gjyqtaret e vrara ishin duke udhëtuar me makinë për në punë, kur një person i armatosur hapi zjarr në drejtim të veturës me të cilat gjyqtaret po udhëtonin.

Sulmi ndodhi në mëngjesin e 17 janarit, ka konfirmuar policia në Kabul.

Qaween tha se viktimat punonin në Gjykatën Supreme, por nuk i identifikoi.

Ai shtoi se në këtë sulm është vrarë edhe shoferi i veturës me të cilën po udhëtonin gjyqtaret.

Deri më tani asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Zyrtarët amerikanë dhe afganë kanë fajësuar talibanët për një seri të vrasjeve të mbarë Afganistanin, ku dhuna po vazhdon pavarësisht përpjekjeve për të arritur një marrëveshje të paqes, që do t’i jepte fund luftës 19-vjeçare.

Talibanët kanë mohuar se qëndrojnë prapa këtyre vrasjeve.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se vrasjet kanë për qëllim të heshtin dhe të frikësojnë zërat e pavarur dhe shoqërinë civile në Afganistan.