Në Kosovë të dielën janë regjistruar edhe 9 viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 3 raste, Gjakovë 2 raste, Deçan 1, Malishevë 1, Podujevë 1 dhe Viti 1 rast", thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).
Në njoftim bëhet e ditur se janë testuar 4.086 mostra të dyshimta dhe nga analizat laboratorike, pozitivë në koronavirus kanë dalë edhe 680 persona, apo 16.64 për qind e të testuarve.
Të shëruar janë regjistruar edhe 465 pacientë ndërsa raste aktive janë 14.307.
Që prej 13 marsit 2020, e deri më 4 prill, 2021 Kosova ka regjistruar 93.655 raste me COVID-19. Prej tyre, 1.915 pacientë kanë humbur jetën ndërsa 77.433 janë shëruar persona.
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Viti, ka zhvilluar gjatë dy ditëve takime me përfaqësues të bizneseve dhe komunave për të shqyrtuar mundësinë e masave shtesë kundër pandemisë.
Ministria nuk ka bërë ndonjë njoftim se për çfarë masa bëhet fjalë.
Mirëpo, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka bërë të ditur të shtunën se është diskutuar për mbyllje të lokaleve të gastronomisë nga data 06 deri më 18 prill.
Kjo shoqatë, sikurse përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Afarizmit e kanë kundërshtuar idenë e mbylljes së bizneseve.
Ato kanë kërkuar që para çdo vendimi të tillë të ndahen mjete financiare për të ndihmuar bizneset.
Edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës është kundër mbylljes dy javore.