Rusia lëshoi në rajonin jugperëndimor të Odesës disa dronë të prodhuar nga Irani, duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile, por jo në viktima, tha ushtria ukrainase më 4 prill.
Gjithsej 17 dronë Shahed - që prodhohen nga Irani - u lëshuan në rajonin e Odesës dhe "14 prej tyre u shkatërruan nga forcat e mbrojtjes ajrore të komandës jugore", njoftuan Forcat Ajrore të Ukrainës, në përditësimin e mëngjesit.
"Një dron goditi një objekt civil në rajonin e Odesës, duke shkaktuar një zjarr, por pati viktima”, tha Serhiy Bratchuk, një zëdhënës i administratës ushtarake.
Ushtria tha se luftimet për kontrollin e Bahmutit në rajonin lindor të Donjeckut vazhduan pavarësisht pretendimeve ruse se kanë pushtuar qytetin.
SHIKONI EDHE: Ukraina thotë se forcat ruse janë “shumë larg” nga kapja e BahmutitMbrojtësit ukrainas zmbrapsën 69 sulme ruse gjatë ditës së kaluar, me "betejat më të ashpra që vazhduan në Bahmut, Avdiyivka dhe Maryinka", tha Shtabi i Përgjithshëm.
Ukraina tha më 3 prill se forcat ruse ishin "shumë larg" nga kapja e qytetit lindor të Bahmutit dhe se beteja ishte rreth ndërtesës së administratës së qytetit, ku grupi mercenar Wagner pretendoi se kishte ngritur flamurin rus.
Qyteti i Bahmutit dhe qytetet përreth të rajonit industrial lindor të Donjeckut kanë qenë caku qendror i sulmeve gjatë 13 muajve që kur ka nisur lufta në Ukrainë.
Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.