KAIRO

Një anije egjiptiane me afro 1400 udhëtarë është fundosur sot në Detin e Kuq. Raportohet se së paku 14 persona kanë shpëtuar ndërsa disa trupa të pajetë janë nxjerrë nga uji afro 90 kilometra nga porti Safaga në Egjipt. Punën e anijeve dhe helikopterëve të shpëtimit po e vështirëson moti i ligë. Shkaku i avarisë së anijes është i paqartë por është thënë se mbrëmë, kur anija ishte nisur nga porti Duba në Arabinë Saudite, kanë fryer erëra të forta. Raportohet se shumica e udhëtarëve ishin egjiptianë që punonin në Arabinë Saudite, por besohet se kishte edhe pelegrinë që ktheheshin nga Meka.