Ambasadori i Serbisë në Indi, Sinisha Paviq, mori pjesë në një ceremoni në Ambasadën e Afganistanit në Nju Delhi, ku, në mes të gushtit, u shënua pesëvjetori i vendosjes së pushtetit të talibanëve.
Serbia ishte i vetmi vend evropian, përveç Rusisë, që dërgoi përfaqësues diplomatik në këtë ceremoni.
Rusia, ndërkaq, është i vetmi vend që e ka njohur zyrtarisht Qeverinë e talibanëve.
Në ceremoni morën pjesë edhe diplomatë nga Kina, Eritrea, Uzbekistani, Kazakistani, Nigeri, Katari dhe Omani.
“Nuk ka shpjegim racional për një veprim të tillë të Beogradit zyrtar, i cili nuk e ka njohur legjitimitetin e pushtetit taliban në Afganistan”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.
“Serbia nuk përfiton as në aspektin e politikës së jashtme, as ekonomik, financiar apo energjetik nga ky veprim”, shton ai.
Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se gjatë pesë vjetëve të sundimit të talibanëve në Afganistan, kriza humanitare është thelluar, ndërsa diskriminimi ndaj grave është institucionalizuar.
Çfarë thonë zyrtarët?
Informacionin se në mesin e të ftuarve në Ambasadën e Afganistanit, më 17 gusht, ishte edhe “një diplomat serb”, e publikuan fillimisht mediat në Indi.
Ambasada afgane në Indi i konfirmoi Radios Evropa e Lirë se një ambasador serb kishte marrë pjesë në ceremoni, por nuk e bëri të ditur emrin e tij.
Një postim në rrjetin social X i Ambasadës së Afganistanit në Indi.
Në një video promovuese, të publikuar nga Ambasada e Afganistanit nga kjo ngjarje, shihet se në mesin e të pranishmëve ishte edhe ambasadori i Serbisë në Nju Delhi, Sinisha Paviq.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë për pjesëmarrjen e ambasadorit serb në ceremoninë e organizuar nga përfaqësuesit e regjimit taliban, Ambasada e Serbisë në Indi tha se nuk mund të japë deklarata për media pa miratimin paraprak të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë veprim diplomatik.
Me talibanët për shkak të Rusisë dhe Kinës?
Mihajllo Bërkiq, ish-ambasador i Serbisë në Kuvajt dhe nënkryetar i partisë opozitare “Srbija Centar”, konsideron se me këtë veprim, Serbia vazhdon politikën e saj të jashtme të mbështetur në “katër shtylla”: Bashkimin Evropian, Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe Kinën.
“Ky është vazhdim i politikës sipas së cilës Serbia, në parim, synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por, në praktikë, ndjek një politikë të jashtme me orientime të shumëfishta”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Bërkiqit, pjesëmarrja e Serbisë në këtë ceremoni nuk lidhet aq me synimin për të zhvilluar marrëdhëniet me Afganistanin, sa me faktin se aty ishin të pranishëm edhe përfaqësues të ambasadave të Kinës dhe Rusisë.
Ai beson se pjesëmarrja e Serbisë duhet parë edhe në kontekstin e vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, gjatë muajit gusht.
“Kjo vizitë ishte një hap i madh i Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Prandaj, pjesëmarrja [në ceremoninë në Indi] mund të shihet si një përpjekje për ta zbutur atë hap dhe për t’u dërguar mesazh ‘shtyllave të tjera’ se Serbia vazhdon të ndjekë një politikë të jashtme me orientime të shumëfishta”, thotë Bërkiq.
Serbia e ka dënuar në Kombet e Bashkuara agresionin rus kundër Ukrainës, por, deri më sot, nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
Ajo është një nga vendet e pakta evropiane që vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Kremlinin.
Për këtë arsye, Beogradi zyrtar është kritikuar vazhdimisht nga zyrtarët e BE-së.
Jakshiq paralajmëron se pjesëmarrja e ambasadorit serb në ceremoninë për përvjetorin e pushtetit të talibanëve, e largon edhe më shumë Serbinë nga politika e jashtme e BE-së, ndonëse vendi synon anëtarësimin në bllok.
“Ky veprim me siguri është regjistruar diku në Bruksel dhe do të dalë si çështje kur të diskutohet për harmonizimin e politikës së jashtme”, thotë Jakshiq.
SHIKONI EDHE:
A mund ta stabilizojnë talibanët Afganistanin?Kush është Sinisha Paviq?
Sinisha Paviq është ambasador i Serbisë në Indi, ndërsa më herët ka mbajtur disa poste në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë.
Për pesë vjet, ai ka qenë konsull i përgjithshëm i Serbisë në Selanik të Greqisë, ndërsa më parë ka shërbyer si konsull në Ambasadën e Serbisë në Paris.
Kur talibanët kanë marrë pushtetin në Afganistan në vitin 2021, Paviq ka folur për media në cilësinë e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e Serbisë në Indi, e cila mbulon edhe Afganistanin në baza jorezidente.
Në gusht të vitit 2021, Paviq ka thënë se, pas ndryshimit të pushtetit në Afganistan, pritet që shumë njerëz të përpiqen të largohen nga vendi.
“Duke pasur parasysh përvojat e mëparshme me sundimin e tyre dhe parimet bazë të ideologjisë së tyre, pritet që një numër i konsiderueshëm njerëzish të përpiqen në çdo mënyrë të largohen nga vendi”, ka thënë Paviq.
Deklarata e tij është publikuar edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë.
Në atë kohë, Ministria ka publikuar edhe një deklaratë të Paviqit për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug, përmes së cilës ka thënë se marrja e pushtetit nga talibanët ka krijuar “arsye për frikë serioze” në mesin e grave.
Ai ka thënë, gjithashtu, se pamjet që tregojnë trajtimin e grave në Afganistan, janë “tronditëse”.
Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Afganistanit
Që kur talibanët kanë marrë pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, Beogradi zyrtar nuk e ka njohur regjimin e tyre.
Ministri aktual i Punëve të Brendshme i Serbisë dhe ish-ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, ka deklaruar në vitin 2021 se, disa vjet para ndryshimit të pushtetit në Afganistan, në Beograd janë zhvilluar tri runde bisedimesh mes autoriteteve të atëhershme afgane dhe përfaqësuesve të fraksioneve talibane.
Megjithatë, zyrtarët serbë, deri më sot, nuk kanë dhënë më shumë hollësi për këto bisedime.
SHIKONI EDHE:
Mes kritikave, BE-ja pret talibanët për herë të parë në Bruksel“Është e mundur që, nisur nga ai rol ndërmjetësues, diplomacia serbe ta ketë konsideruar të nevojshme t’i mbajë të hapura këto kanale komunikimi dhe, për këtë arsye, ta ketë dërguar diplomatin e saj në ceremoninë në Nju Delhi”, thotë Jakshiq.
Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Serbisë, shkëmbimet tregtare me Afganistanin gjatë vitit 2025 arritën në gjithsej 832 mijë euro.
Prej tyre, 729 mijë euro ishin eksporte nga Serbia drejt Afganistanit, ndërsa 103 mijë euro importe nga Afganistani.
Kriza humanitare dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Afganistan
Qeveria qendrore në Kabul kapitulloi në gusht të vitit 2021 dhe ua dorëzoi pushtetin talibanëve pa luftë, pasi forcat ushtarake amerikane kishin paralajmëruar tërheqjen nga Afganistani.
Kësaj i kishte paraprirë një luftë 20-vjeçare mes talibanëve dhe autoriteteve të atëhershme afgane, të cilat mbështeteshin nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë.
Që nga marrja e pushtetit nga talibanët, më shumë se 1.6 milion qytetarë janë larguar nga Afganistani, sipas të dhënave të Këshillit të Evropës për Refugjatët.
Në Evropë, afganët përbëjnë grupin e dytë më të madh të azilkërkuesve, pas sirianëve.
SHIKONI EDHE:
Mijëra gra rrezikojnë jetën gjatë lindjes nën sundimin talebanRusia është i vetmi vend që i ka njohur zyrtarisht talibanët si qeveri legjitime të Afganistanit.
Ajo e bëri këtë në vitin 2025, ndërsa disa vende të tjera, përfshirë Kinën, mbajnë marrëdhënie diplomatike dhe ekonomike me talibanët, por pa e njohur zyrtarisht qeverinë e tyre.
Pesë vjetët e sundimit të talibanëve janë shoqëruar me një krizë të rëndë humanitare në Afganistan.
Sipas të dhënave të UNICEF-it nga gushti i këtij viti, rreth 3.7 milionë fëmijë në Afganistan vuajnë nga kequshqyerja.
Rreth një milion prej tyre përballen aktualisht me formën më të rëndë të kequshqyerjes, e cila ua rrezikon jetën, për shkak të mungesës së ushqimit të përshtatshëm.
Numri i rasteve të kequshqyerjes së rëndë akute, të shoqëruar me komplikime mjekësore, është rritur për një të tretën krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo ka çuar edhe në mbingarkimin e spitaleve.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se në Afganistan është institucionalizuar një sistem i diskriminimit ndaj grave, i cili mund të përbëjë edhe krim kundër njerëzimit.
Gratë në këtë vend janë përjashtuar pothuajse tërësisht nga jeta publike.
Rreth 1.4 milion vajza mbi moshën 12-vjeçare nuk lejohen të ndjekin shkollimin.
Të rejave u ndalohet, gjithashtu, ndjekja e shkollave të mesme dhe universiteteve.
SHIKONI EDHE:
Pesë vjet pas marrjes së pushtetit nga talibanët, të rinjtë afganë mësohen të jetojnë nën sundimin shtypësKundërshtarët e regjimit dhe gazetarët përballen me frikën e përndjekjes së ashpër nga talibanët.
Sipas organizatës ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, të paktën 12 media u mbyllën gjatë vitit 2024.