Antiga planifikon referendum për t'u kthyer në republikë

Kryeministri i Antigës dhe Barbudës, Gaston Browne.

Shteti i Antigës dhe Barbudës do të votojë nëse do të bëhet republikë, pas vdekjes së Mbretëreshës britanike, Elizabeta II.

Kryeministri i këtij shteti, Gaston Browne, ka thënë se referendum do të organizohet brenda tre vjetëve – mirëpo ka theksuar se ky vendim nuk është “akt armiqësie”.

Ai i ka bërë këto komente pasi Charles III është bërë mbret i Mbretërisë së Bashkuar.

Përveç Mbretërisë së Bashkuar, Charles III njihet si udhëheqës shteti në 14 shtetet tjera që kanë qenë koloni të Britanisë së Madhe në të kaluarën.

SHIKONI EDHE: Charles III shpallet edhe zyrtarisht mbret

Browne ka thënë se synon të organizojë referendumin vitin e ardhshëm, nëse rizgjidhet në pozitën që ka.

Megjithatë, ai e ka pranuar se nuk ka rritje të kërkesës për ta mbajtur atë.

“Mendoj se shumë njerëz as që e mendojnë këtë gjë”, ka thënë Browne për ITW News.

Më herët gjatë ditës së diel, Australia ka hedhur poshtë mundësinë e organizimit të një referendumi të tillë në katër vjetët e ardhshëm.

Vdekja e mbretëreshës ka ringjallur debatin rreth monarkisë në Australi.

Mirëpo kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se “çështjet më të rëndësishme për kushtetutën tonë, nuk i takojnë kësaj periudhe”.

“Kjo është periudhë në të cilën po ndajmë pikëllimin që ndjejnë shumë australianë, duke treguar respektin e thellë dhe admirimin për kontributin e Mbretëreshës për Australinë”, ka thënë Albanese.

Vitin e kaluar, Barbados është betuar në presidenten e saj, pasi Mbretëresha nuk është konsideruar më udhëheqëse e shtetit.

SHIKONI EDHE: Barbados bëhet republika më e re në botë

Edhe në Xhamajkë, Partia në pushtet, ka thënë se synon të mbajë referendum për të shndërruar sistem shtetëror në republikë.