Pse BIA interesohet për “qarqet islamiste” në Kosovë?

Sipas ekspertëve, Serbia e “mbivlerëson” rrezikun nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm dhe mundohet ta paraqesë rajonin si hapësirë me potencial destabilizues. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Dy raste të spiunazhit në Kosovë tregojnë interesimin e Agjencisë së Informacionit të Sigurisë së Serbisë (BIA) për persona të lidhur me qarqe radikale islamiste – nga mbledhja e informacioneve deri te, sipas Prokurorisë së Kosovës, identifikimi i personave që mund të shërbenin si objektiva për kontaktim dhe rekrutim.

Ndërsa ekspertët thonë se aktivitete të tilla mund të kenë qëllime të sigurisë dhe kundërterrorizmit, ata paralajmërojnë se mund të jenë gjithashtu pjesë e një strategjie më të gjerë të Beogradit për krijimin e rrjeteve të inteligjencës dhe zgjerimin e ndikimit politik në Kosovë.

Autoritetet e Kosovës e arrestuan më 13 gusht Fehim Salin, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit, vepër e dënueshme me së paku pesë vjet burgim.

Në kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e paraburgimit, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë (REL), thuhet se Sali i kishte ofruar një zyrtari të BIA-s informacione për situatën politike në Kosovë dhe kishte identifikuar pjesëtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Sipas të njëjtit dokument, ai kishte dhënë gjithashtu informacione për persona që “i përkasin sektit vehabist”, si dhe për persona të tjerë “të cilët më vonë ia kishte propozuar zyrtarit të BIA-s si objektiva të mundshëm për kontaktim dhe rekrutim”.

SHIKONI EDHE:

Spiunazh për BIA-n: Çfarë dyshohet se zbuloi Fehim Sali?

Prokuroria tha se në mesin e provave ka transkripte bisedash “nga të cilat rezulton se i dyshuari ka krijuar dhe mbajtur kontakte me zyrtarin e BIA-s dhe ka ofruar informacione relevante dhe forma të ndryshme ndihme gjatë rekrutimit të personave të tjerë”.

Sali, i cili është edhe shtetas i Serbisë, kishte udhëtuar në Serbi. Gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, atij iu gjetën katër telefona dhe 40.000 euro.

“Dyshimi i bazuar mirë u vërtetua edhe nga deklarata e vet të pandehurit i cili në detaje përshkruan veprimet e tij inkriminuese, duke ofruar mënyrat dhe vendtakimet e komunikimit dhe ofrimit të informacioneve dhe ndihmën për BIA-n serbe”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh, të cilën gjykata e miratoi.

Vehabizmi është një rrymë konservatore brenda islamit, e lidhur me teologun Muhamed ibn Abd al-Vehab, e cila thekson kthimin te interpretimet që i konsideron më burimore të Islamit dhe te praktikat e gjeneratave të para të myslimanëve.

Në Kosovë dhe në rajon, termi përdoret shpesh për të përshkruar individë apo grupe të ndikuara nga interpretime konservatore të islamit. Megjithatë, personat që lidhen me këtë rrymë nuk janë domosdoshmërisht të përfshirë në aktivitete të dhunshme apo ekstremiste.

REL-i iu drejtua BIA-s së Serbisë lidhur me këto akuza, por nuk mori përgjigje.

Ky nuk është rasti i vetëm.

Në qershor të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Hysri Selimin me gjashtë vjet burgim për spiunazh në favor të BIA-s, për të cilën, sipas aktakuzës, kishte punuar për më shumë se 15 vjet.

Selimi kishte udhëtuar në Siri në fund të vitit 2015 dhe ishte bashkuar në organizatën terroriste, Shteti Islamik. Pas kthimit në Kosovë, ai kishte vuajtur dënim me burgim për pjesëmarrje në organizata terroriste.

SHIKONI EDHE:

Gjykata në Prishtinë e dënon Hysri Selimin me 6 vjet burgim për spiunazh për Serbinë

Prokuroria pretendoi se ai i kishte dhënë BIA-s informacione për numrin e shqiptarëve që iu bashkuan Shtetit Islamik, mënyrën e organizimit dhe veprimtarinë e tyre në Siri, si dhe informacione të tjera pas kthimit të tij në Kosovë.

Sipas aktakuzës, për këto të dhëna ai merrte nga BIA deri në 700 euro në muaj. Selimi i mohoi akuzat dhe u deklarua i pafajshëm.

Predrag Petroviq nga organizata joqeveritare Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCBP) vlerëson se mbledhja e të dhënave për grupe të radikalizuara mund të shpjegohet me interesat e sigurisë së Serbisë.

Megjithatë, eksperti për siguri dhe politikë të jashtme me bazë në Uashington, Adrian Shtuni, thotë se çështja duhet parë edhe në kontekstin më të gjerë të veprimtarisë së shërbimeve serbe në Kosovë.

Shtuni, bashkëpunëtor i Qendrës Ndërkombëtare për Luftimin e Terrorizmit, thotë për REL-in se të dhënat e inteligjencës për rrjetet ekstremiste islamiste dhe tendencat e radikalizimit kanë vlerë të qartë për luftën kundër terrorizmit dhe monitorimin e kërcënimeve.

Por, sipas tij, rastet e Salit dhe Selimit – të parë së bashku me prioritetet më të gjera të Serbisë në Kosovë – “tregojnë për objektiva që shkojnë përtej kësaj”.

“BIA serbe dhe shërbimet e lidhura me të e shohin Kosovën si një çështje kyç të sigurisë kombëtare dhe jo si një objektiv të zakonshëm të inteligjencës së jashtme”, thotë Shtuni.

Në këtë kontekst, ai shton se operacionet e lidhura me Salin dhe Selimin duhet parë edhe si pjesë e prioriteteve më të gjera që synojnë “ruajtjen e politikës së mosnjohjes së Kosovës, ndërtimin dhe zgjerimin e levave të ndikimit në Kosovë dhe kufizimin e konsolidimit të Kosovës si shtet sovran”.

Petroviq, ndërkaq, vlerëson se Serbia e “mbivlerëson” rrezikun nga terrorizmi i dhunshëm dhe ekstremizmi që mund të burojnë nga komunitetet selefiste, me qëllim që vendeve perëndimore t’ua paraqesë rajonin si një hapësirë me potencial destabilizues, por edhe si një kërcënim të mundshëm për vetë Evropën.

“Në njëfarë mënyre, duket sikur luajnë me kartën e frikës që ende ekziston lidhur me këtë çështje”, thotë Petroviq për REL-in.

SHIKONI EDHE:

Nën hijen e minareve, selefistët përballen me akuza për radikalizëm

A po përpiqet BIA t’i forcojë rrjetet selefiste në Kosovë?

Një burim brenda Prokurorisë së Kosovës i tha REL-it se shërbimi serb i inteligjencës “punon aktivisht për krijimin e një imazhi më negativ për Kosovën” dhe se një nga mënyrat për ta bërë këtë është “forcimi i rrjeteve selefiste/vehabiste dhe nxitja e formimit të grupeve më të mëdha”.

“Qëllimi është të fuqizohet një narrativ i caktuar dhe t’i paraqitet bashkësisë ndërkombëtare, duke pretenduar se në Kosovë ekzistojnë rrjete vehabiste dhe se, për këtë arsye, vendi nuk është në gjendje të funksionojë vetë si shtet demokratik”, tha burimi.

REL-i nuk ka mundur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur pretendimin se BIA po përpiqet t’i forcojë rrjete të tilla në Kosovë.

Adrian Shtuni thotë se duhet bërë një dallim i qartë mes mbledhjes së të dhënave të inteligjencës dhe monitorimit të zhvillimeve brenda komuniteteve të radikalizuara, në njërën anë, dhe identifikimit e propozimit të rekrutëve të mundshëm me qëllim zgjerimin e një rrjeti agjentësh, në anën tjetër.

“Kjo është tabloja më e gjerë, e cila përputhet me mënyrën se si shtetet me mosmarrëveshje të pazgjidhura territoriale zakonisht e orientojnë punën e shërbimeve të tyre të inteligjencës”, thotë ai.

Shtuni vë në pah se nga viti 2024 deri më 2026, autoritetet e Kosovës kanë arrestuar persona me profile të ndryshme nën dyshimin se kanë bashkëpunuar me shërbimin serb të inteligjencës.

Sipas pretendimeve të organeve hetuese të Kosovës në këto raste, të dyshuarit ishin angazhuar, mes tjerash, për mbledhjen e të dhënave operative të policisë, identifikimin e zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ndikimin në narrativët për ngjarjet e periudhës së luftës, mbledhjen e informacioneve politike dhe të situatës në terren, si dhe komprometimin e institucioneve.

Në mesin e personave që përballen me akuza për spiunazh para organeve të drejtësisë në Kosovë janë edhe Bojan Jevtiq, toger i Policisë Kufitare të Kosovës, dhe Jellena Gjukanoviq, e cila kishte punuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.

Pse rrjetet selefiste janë me interes për BIA-n?

Predrag Petroviq nga BCBP-ja thotë se Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë dy nga vatrat kryesore në Ballkanin Perëndimor ku është shfaqur ekstremizmi islamist dhe se interesimi i shërbimit serb të inteligjencës për këtë fenomen nuk është i ri.

“Qëllimi është që, përmes personave që keni rekrutuar, të fitoni njohuri për aktivitetet e tyre, në mënyrë që të mund t’i parandaloni rreziqet dhe kërcënimet ndaj sigurisë së Serbisë, sepse komuniteti vehabist është identifikuar si një mjedis nga i cili potencialisht mund të dalin ekstremistë të dhunshëm, madje edhe terroristë”, thotë Petroviq.

Një interes tjetër i shërbimit serb të inteligjencës për mbledhjen e informacioneve rreth rrjeteve islamiste, sipas Petroviqit, është mundësia që këto të dhëna t’i ndajë me shërbimet perëndimore të sigurisë, për të cilat kjo çështje është lart në listën e prioriteteve.

“Komunitetet selefiste apo vehabiste janë nën vëzhgimin e vazhdueshëm të këtyre shërbimeve të sigurisë. Në këtë mënyrë, shërbimi serb pozicionohet si një partner relevant për shkëmbimin e informacioneve dhe si një aktor që mund të ketë të dhëna të rëndësishme nga terreni”, thotë Petroviq.

Shtuni, në anën tjetër, vlerëson se rekrutimi brenda rrjeteve radikale islamiste mund të tregojë edhe për përpjekje për “instrumentalizimin e tyre në funksion të objektivave të Serbisë apo të shërbimit të inteligjencës, çka shkon përtej monitorimit pasiv të zhvillimeve të sigurisë”.

“Mbajtja e rrjeteve të agjentëve brenda qarqeve të ndjeshme shoqërore dhe fetare krijon mundësi për ndikim në të ardhmen, destabilizim apo shfrytëzim të krizave. Siç u shpjegua më herët, kjo përputhet me modelet më afatgjata të veprimit të shërbimeve serbe të inteligjencës në Kosovë, që synojnë kufizimin e konsolidimit të plotë të autoritetit të Prishtinës dhe krijimin apo shfrytëzimin e paqëndrueshmërisë kur kjo u shërben interesave më të gjera”, thotë ai.

Shtuni thekson se një depërtim eventual i BIA-s serbe në rrjete radikale islamiste në Kosovë mund të kishte pasoja për sigurinë e brendshme të Kosovës, marrëdhëniet ndëretnike dhe marrëdhëniet tashmë të brishta mes Kosovës dhe Serbisë.

Kontribuoi: Doruntina Baliu