“Ata vjedhin, përdhunojnë dhe plaçkitin”.
Ky është një arsenal i zakonshëm dezinformatash dhe gjuhë të urrejtjes që mund të lexohet në llogaritë e grupeve ultra-djathtiste nga Serbia në rrjetet sociale. Ndër më të spikaturit është kanali në Telegram “Patrulla Popullore”, një grup i paregjistruar, llogaria e të cilit në të platformë sociale ka më shumë se 11.000 ndjekës.
Edhe pse policia serbe herë pas here demanton disa nga pretendimet e rreme, dhe tubimi i fundit kundër migrantëve në Beograd në tetor 2025 u ndalua, shpesh mungon një epilog gjyqësor.
“Në praktikë, nuk ka ndëshkim për veprën penale të ‘nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare’, jo vetëm ndaj migrantëve, por në përgjithësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë Marko Millosavljeviq nga organizata joqeveritare Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
“Patrulla Popullore” është e njohur prej vitesh për aksionet e saj antimigrante, dhe ruan kontakte të ngushta me njerëz që njerëz nga Rusia që kanë qëndrime të njëjta.
SHIKONI EDHE: Telegrami shpërndan propagandën ekstremiste ruse deri në SerbiGënjeshtra për përdhunimin në Beograd
Dezinformatat për migrantët publikohen çdo ditë në kanalin Telegram “Patrulla Popullore”. Një prej tyre, megjithatë, ishte kaq shqetësuese saqë edhe policia serbe reagoi.
Historia për përdhunimin dhe vrasjen e një vajze, që supozohej se e kishte kryer një grup migrantësh në fshatin Rakovicë të Beogradit, u publikua nga ky grup më 24 janar dhe për disa ditë vazhdimisht shkruhej për këtë çështje.
U përhapën informacione të pa verifikuara për numrin e madh të policëve dhe migrantëve në këtë vendbanim, si dhe për britmat që gjoja dëgjoheshin nga shtëpia ku supozohej se qëndronin migrantët.
Ky grup akuzoi policinë se po fshehte krimin dhe i bëri thirrje qytetarëve “në të gjitha pjesët” e Serbisë të krijonin “patrulla” që të “ruajnë rrugët dhe të ushtrojnë presion që migrantët të largohen”.
“Ky ‘lajm’ nuk arriti në mediat konvencionale, por u shpërnda nga kanale të tjera ultra-djathtiste në Telegram”.
Pas tre ditësh, më 27 janar, reagoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, e cila njoftoi se ngjarja ishte e trilluar dhe se postimet e përmendura në rrjetet sociale “ishin bërë me qëllim që të shkaktonin shqetësim te qytetarët”.
“Zyrtarët policorë kanë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë në objektin e fshatit Rakovicë, postime nga rrjetet sociale dhe për bisedat e zhvilluara dhe për përmbajtjen e pamjeve kanë informuar Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd, Departamentin e Posaçëm për Krime të Teknologjisë, të cilat do të dorëzohen raport për veprime të mëtejshme”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Nga ky departament për krime të teknologjisë nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë nëse kanë ndërmarrë hapa për këtë rast.
“Është punë e lehtë për autoritetet”
“Këta narrativë shqetësojnë publikun, por ajo që është pozitive është se policia reagon shumë shpejt ndaj këtyre dezinformatave dhe sqaron se çfarë po ndodh. Ky është një qasje e re që nuk e kemi parë në dhjetë vitet e fundit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Radosh Gjuroviq nga organizata joqeveritare Qendra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Kërkuesve të Azilit.
Marko Millosavljeviq nga Iniciativa e të Rinjve thotë se mirëpret reagimin e policisë, por thekson se në këtë rast ekzistojnë edhe elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.
“Kjo tashmë është një sjellje karakteristike e ‘Patrullës Popullore’, e cila ka marrë pjesë në përhapjen e këtij lajmi”, vlerëson ai.
Sipas tij, nuk nevojiten shumë burime që MPB-ja serbe dhe prokuroritë kompetente të mbledhin prova dhe informacione lidhur me përhapjen e këtyre gënjeshtrave.
“Është shumë e lehtë ta bësh këtë vetëm duke kontrolluar grupin në Telegram ‘Patrulla Popullore’, që përhap këto dezinformata”, thotë Millosavljeviq.
Përveç lajmit të rremë për përdhunimin dhe vrasjen e vajzës në Beograd, në të njëjtin kanal ditët e fundit janë publikuar edhe përmbajtje të tjera të ngjashme.
Udhëheqësi i “Patrullës” ishte arrestuar edhe vitin e kaluar
Udhëheqësi i “Patrullës Popullore”, Damnjan Knezheviq, nuk i është përgjigjur REL-it nëse është thirrur nga Prokuroria lidhur me rastin e përhapjes së dezinformatave për krimin që supozohet se u krye nga migrantët në Beograd.
Knezheviq u arrestua në tetor të vitit të kaluar para një tubimi kundër migrantëve që organizata e tij kishte njoftuar se do ta mbante, por që policia e ndaloi. Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ai dyshohet për veprën penale të diskriminimit racor, për çka ai qëndroi dy muaj në arrest shtëpiak.
Masat e arrestit iu hoqën në fund të dhjetorit, dhe Knezheviq në kanalin e Telegramit të organizatës së tij shkroi se nuk ishte ngritur aktakuzë kundër tij. Radio Evropa e Lirë është përpjekur të marrë konfirmim nga Prokuroria e Lartë për këto pretendime, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Në nëntor të vitit 2024, Knezheviq u shpall i pafajshëm nga një gjykatë e shkallës së parë për akuzën se kishte bërë thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues gjatë protestave kundër marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Ohër në fillim të vitit 2023. REL-i nuk mori përgjigje nga Prokuroria e Lartë nëse prokurorët e kanë apeluar këtë vendim.
Marko Millosavljeviq nga Iniciativa e të Rinjve thotë se vazhdimisht mungon ndëshkimi i grupeve ultra-djathtiste për nxitjen e urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, jo vetëm ndaj migrantëve, por edhe ndaj aktivistëve vendas.
“Nuk ka sanksione, sepse është fakt që edhe vetë përfaqësuesit e autoriteteve priren të përdorin shprehje shoviniste dhe të quajnë kundërshtarët politikë me emra të ndryshëm fyese. Kjo kalon pa asnjë dënim”, thotë ai.
Ai kujton se Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka qenë objekt sulmesh nga ekstremistët e “Patrullës Popullore” në qershor të vitit 2024, kur pranë dyerve të kësaj organizate joqeveritare në Beograd u la një kokë derri.
“Atëherë pamë që Prokuroria vetëm hapi çështjen dhe nuk bëri asgjë më shumë. Madje, ne nuk u njoftuam as nga Prokuroria, por përmes mediave mësuam se ishte hapur një çështje”, thotë Milëosavljeviq.
Lidhjet ruse të “Patrullës Popullore”
Pikërisht përmes narrativit antimigrant dhe veprimeve në rrugë, organizata e paregjistruar “Patrulla Popullore” u bë objekt i vëmendjes së publikut në fillim të vitit 2020.
Atëbotë, në rrjetet sociale u publikua një video ku një grup burrash të veshur me të zeza dhe me kapele, ndalonin migrantë dhe refugjatë në Beograd dhe u shpërndanin broshura me mesazhin se u “ndalohej lëvizja jashtë qendrave të migrantëve” gjatë natës.
Në tetor të vitit 2021, ky grup publikoi fletarrestime kundër personave që jepnin banesa për refugjatë dhe migrantë në Sombor, në veriperëndim të Serbisë.
Damnjan Knezheviq ruan kontakte të rregullta me organizata ultra-djathtiste në Rusi dhe ka vizituar disa herë këtë shtet. Herën e fundit ai ishte atje në shtator 2025, si pjesëmarrës në konferencën e Lidhjes Ndërkombëtare Antiglobaliste “Paladins”, organizuar nga oligarku rus Konstantin Malofeyev, i cili është nën sanksionet e shteteve perëndimore.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të dhjetëra partive dhe lëvizjeve të ekstremit të djathtë, ku tema kryesore ishte lufta kundër ardhjes së migrantëve.
Rritja e narrativit antimigrant
Radosh Gjuroviq nga Qendra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Kërkuesve të Azilit, thotë për REL-in se rritja e narrativit antimigrant ndodh në valën e ngjarjeve globale, ku migracioni po bëhet një nga temat kryesore që ndan opinionin publik.
“Ne kemi vërejtur nga disa organizata ekstreme dhe influencerë përpjekjet për të angazhuar publikun me narrativ antimigrant. Është e qartë se bëhet fjalë për keqpërdorim të rrethanave, përdorim të dezinformatave dhe përpjekje për të përfituar nga kjo”, thekson Gjuroviq.
Aktivistët e Qendrës e tij, tha Gjuroviq, kanë vërejtur në terren përpjekje të grupeve ekstremiste djathtiste për të përhapur narrativin antimigrant në komunitete lokale ku ka më shumë migrantë dhe refugjatë, por mbështetja për këtë narrativ mungon për momentin.
“Përveç rrjeteve sociale dhe pëlqimeve, nuk shohim që ky ndryshim i narrativit manifestohet në realitet përmes një qëndrimi antagonist ndaj refugjatëve dhe migrantëve”, thotë Gjuroviq.
*Video: Më 2024, disa migrantë që tentuan të hynin në Serbi nga Maqedonia e Veriut rrëfyen se ishin rrahur nga policia serbe me shkopinj gome.
Your browser doesn’t support HTML5
"Na rrahën": Përvojat e emigrantëve që u përpoqën të hynin në Serbi
Megjithatë, ka përjashtime. Në fund të vitit 2025, në Kragujevc, qyteti më i madh në Serbinë qendrore, banorët organizuan për javë me radhë protesta kundër punëtorëve të huaj nga vendet aziatike dhe afrikane.
Si arsyetim përmendën “frikën për sigurinë personale dhe pasurinë” dhe kushtet e papërshtatshme ku qëndronte një numër i madh i të huajve.
Në tubim u përfshin edhe grupet ultra-djathtiste, duke përhapur teorinë konspirative për “zhvendosjen e popullsisë”.
Kjo teori, e cila nuk mbështetet nga asnjë argument, pretendon se ekziston një plan i organizuar i elitave politike për të “zhvendosur” popullsinë e një vendi me grupe të tjera etnike ose fetare.
Në grupet e Viber-it qarkullonin pretendime për incidente ku ishin të përfshirë punëtorë të huaj. Nga ana tjetër, policia serbe njoftoi se “nuk ka evidentuar asnjë vepër penale të kryer nga punëtorët e huaj dhe nuk ka pasur ankesa nga qytetarët për ndonjë shqetësim”.
Sipas të dhënave të Qendrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Kërkuesve të Azilit, në Serbi në çdo kohë ka rreth 1.000 migrantë, dhe numri i tyre u ul në janar 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sa i përket migrimeve që lidhen me punësim, Serbia ka lëshuar rreth 100.000 leje pune, sipas të dhënave të kësaj qendre.